Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “The Geopost” ka folur për zhvillimet e fundit në veri dhe për raportimet se atje ishin prezent edhe anëtarë të grupit Wagner.
Ai thotë se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit dhe për këtë përdor Serbinë dhe se Putini është i fiksuar pas Kosovës, transmeton Indeksonline.
“Putini është i fiksuar pas Kosovës, dhe ai ka shumë të bëjë me 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s. Ai është jashtëzakonisht i indinjuar që Kosova është shembull i suksesit të ndërhyrjes së NATO-s, i shtetndërtimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa është shumë i lumtur që ndërhyrja perëndimore në Afganistan dhe Irak nuk ishte aq e suksesshme. Dhe këtu Kosova bën një kontrast të madh, kështu që ai do të dëshironte që Kosova të dështonte si Iraku dhe Afganistani. Megjithatë, Kosova është një shtet sovran i pavarur dhe gjithnjë e më i fuqishëm, i cili nuk tërhiqet dhe nuk i nënshtrohet Serbisë si regjim klient i Moskës dhe i Kremlinit”, thotë Kurti.
Në anën tjetër, Kurti thekson se grupet Night Wolves edhe Wagner kanë qenë në Ballkan, derisa shton se kanë të dhëna se edhe kanë qenë në veri të Kosovës gjatë muajit djetor.
“Nuk ka dyshim se Night Wolves edhe Wagner kanë qenë në rajonin e Ballkanit, janë në Serbi dhe kemi të dhëna se kanë qenë në veri të Kosovës gjatë muajit dhjetor dhe tani po mbledhim të dhënat për ndikimin e tyre eventual në sulmet e 26 dhe 29 majit kundër policëve tanë, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve. Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz që jo vetëm janë kriminelë që kanë kryer krime, por thonë hapur se do të kryejnë sërish krime. Konkretisht, një nga parullat e brohoritura më 26 maj ishte “Vrit, vrit”.
Këto nuk janë protesta paqësore, djegia e makinave të policisë, thirrja “Vrit, vrit” me bandat e orkestruara nga Beogradi që paguhen prej andej dhe marrin direktivat prej andej, këta nuk janë protestues paqësorë. Prandaj, këta persona, këta ekstremistë, 5 prej tyre janë në burg, ndërsa 13 prej tyre i kemi identifikuar me siguri se janë njerëz të tillë tek të cilët Kremlini e sheh shansin e tij, pasi bëhet fjalë për ideologjinë e nacional-shovinistit serb. e djathta ekstreme, e cila adhuron edhe Millosheviçin edhe Putinin. Pra, ky adhurim i Millosheviqit dhe Putinit si ideologji, si figura të ideologjisë së tyre, sigurisht që është shumë joshëse për grupet paraushtarake terroriste gjenocidale si Wagner. Ajo që kemi parë në Zveçan, është një lloj milicie fashiste e cila kishte edhe serbë që janë policë në Serbi dhe kanë ardhur të bëjnë rrëmujë në Kosovë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se do ia dalim e do të kemi sukses.
“Ne do t’ia dalim, do të kemi sukses dhe jam shumë optimist për këtë, por duhet të jemi bashkë, të fortë, të palëkundur sepse situata nuk ka qenë kurrë më e qartë, sepse nuk duhet asgjë më shumë dhe asgjë më pak se sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria në rreth 1/6 e territorit të Kosovës që është mbi lumin Ibër”, theksoi ai.