Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke aluduar në ish-kryeministrin Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të premten.
Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tash i burgosur në Hagë si i dyshuar për krime lufte, në vitin 2013 ishte zotuar që nuk do ta dërgonte FSK-në në veri pa koordinim me NATO-n.
E Kurti ka vlerësuar se ky zotim ka lënë vakum në pjesën veriore të Kosovës, prandaj siç thotë ai, po shtojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.
“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtar dhe ata trupat e KFOR-it. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet”, ka thënë Kurti.