“Nuk kam pse merrem me të”. Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin e Komunave Serbe duke lënë të kuptohet se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kësaj çështje.
Ai thotë se kjo çështje është e rëndësishme për Serbinë dhe ka shtuar se për të janë të rëndësishme edhe marrëveshjet për njohjen e diplomave dhe IBM.
“Asociacioni një nga 33 marrëveshjet e arritura, e që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Serbia e përmend pikërisht këtë. Por s’ekziston një hierarki që na thotë se kjo është marrëveshja më e rëndësishme. Për Serbinë po. Por ajo që është më e rëndësishmja për Serbinë, s’është për mua. Për mua është ajo për diploma, ajo për IBM”, ka thënë fillimisht ai.
Ai ka shtuar se për këtë Gjykata Kushtetuese nuk i lë vend Asociacionit mbi baza etnike.
“Dialogu i ardhshëm duhet të jetë parimor, qytetarët përfitues, e dialogu ku s’mund të shkojmë përtej aktgjykime Gjykatës Kushtetuese që praktikisht e ka çmontuar atë ngrehinë”, ka shtuar ai duke theksuar se “asnjëra marrëveshje s’ka mundur të zbatohej sepse aktgjykimi i Kushtetueses s’i lë vend Asociacionit mbi baza etnike”, tha ai në KTV.
“Nuk kam pse të merrem me të. Ai është interes i Serbisë. Është interes i Serbisë dhe këtë s’e harroj. Pse të merrem ditë e natë me interes të Serbisë. Merrem me interesa të Kosovës. ua shpjegoj ndërkombëtarëve qëndrimin tonë, por ai s’është interes as i serbëve të Kosovës. Asnjë s’ka ardhur të më thotë zbatoje. Edhe sa i përket qëndrimit të SHBA-së, me administratën e re karshi Serbisë, edhe me letrat e presidentit Joe Biden kryefjala është njohja e ndërsjellë. Besoj se është obligim dhe detyrë e çdo qytetari që në pikënisje në raport me Serbinë ta ketë kërkesën për njohje, jo për Asociacion. Ajo po thotë s’të njoh kurrë e hajde flasim për Asociacionin. Është gabim. Besoj që kryefjala është njohja e ndërsjellë. Nëse hymë këtu, biem në lojën e Serbisë. Kam përdorur qasje tjetër në takimet në Bruksel. Presidenti i Serbisë mundohet ta arsyetojë. Arsyetohet me të drejtat e serbëve. Sa për të drejtat, po e zbatojmë edhe ne ato Këshillat Nacionale si në Serbi. Nëse dëshiron kërkesën tënde parim le të bëhet e gjithanshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, me Asociacionin, Serbia po mundohet të diskutojë për statusin e Kosovës.