Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur përsëri për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti duhet gjithsesi t’i përfshijnë pensionet e veteranëve së bashku me pagën minimale, pasi janë të obliguar ligjërisht
Tutje, ai ka ironizuar edhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili kishte thënë se maksimumi mund të jenë 20 mijë veteranë të luftës.
“Ndoshta ky e dinë më mirë, i kanë tregu serbët sa ka qenë në burg atje, ose i ka tregu najkush i veti”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje gjithmonë kanë pasur tendencë të “sulmojnë” ish-pjesëtarët e UÇK-së, në mënyrë që të fitojnë edhe simpatinë e përkrahësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por se Haradinaj ka thënë se në luftë nuk ka pasur ndarje partiake.
“Ata duhet të dinë se edhe përkrahësit e LDK-së e dinë që në luftë kemi pasur pjesëmarrës nga çdo parti. E keni shembull Kujtim Shalën e LDK-së, ai është i Logjës, shkoni pyetne Kujtimin se ai e di mirë se si 200 burra të fshatit të tij kanë shkuar vullnetarisht janë armatos, me para të veta i kanë ble armët ua kanë sjell. Kur ka nisur lufta, janë mobilizu të gjithë ata mbi 15-vjeç. Ata janë armatos dhe ndoshta janë udhëheq nga dikush i UÇK-së, por janë armatos vullnetarisht. Kur ka nisur lufta, e dimë se në Logjë nuk ka mbetur as edhe një kaçak i pulave në këmbë, është shkretu komplet. E tash Kurti me i tregu Logjës sa ka veteranë, nuk po e di kush po i mëson kështu”, ka deklaruar Haradinaj në RTV 21.
Haradinaj ka thënë se ka edhe fëmijë që janë mobilizu e janë përfshi në luftë, andaj Prokuroria mund të hetojë se kush është veteran i rrejshëm, por se Qeveria nuk mund t’i lërë jashtë veteranët nga paga minimale.