Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Presidentin e Akademisë Papnore për Jetë, imzot Vincenzo Paglia.
Në një takim miqësor, të shoqëruar edhe nga Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, u bisedua për rëndësinë e lirive fetare.
Kryeministri theksoi se Republika e Kosovës është shtet laik dhe se Kushtetuta e Kosovës e kuadri ligjor ofrojnë liri dhe garanci të zgjeruara për ushtrimin e fesë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kryeministri po ashtu e njoftoi për progresin e Kosovës në këto më shumë se dy vite të qeverisjes në avancimin e demokracisë dhe rritjes së mundësive ekonomike që i kontribuojnë mirëqenies së qytetarëve të të gjitha komuniteteve.
Imzot Paglia u shpreh se është i mbushur plot shpresë kur sheh avancimin e Kosovës në këto vite dhe progresin e arritur duke theksuar mbrojtjen e lirive dhe harmonisë fetare, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.