Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev dhe ambasadorin e Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angel Angelov, ku kanë diskutuar për punën dy vjeçare të qeverisë.
Në takim gjithashtu është diskutuar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj, sipas dakordimit të 18 marsit në Ohër, raporton teve1.info.
“Gjatë takimit, u bisedua për marrëdhëniet e afërta ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe për mundësitë e reja për thellimin e zgjerimin e tyre, sidomos në fushën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, atë të kulturës si dhe të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti ka falënderuar dy ambasadorët për vizitën e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës.
“Ai falënderoi dy ambasadorët për vizitën e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës. Ndërkohë që i njoftoi për punën e qeverisë, e cila muajin e kaluar mbushi dy vjet që nga formimi i saj, rezultatet në sundimin e ligjit, përmirësimet në indikatorët demokratikë, dhe për progresin ekonomik, me theks te eksportet, që këtë vit për herë të parë pritet të kalojnë vlerën prej 1 miliard euro”, thuhet tutje në komunikatë.
Gjithashtu, ambasadorët Gudjev dhe Angelov thuhet në njoftim se kanë shprehur gatishmërinë e tyre për rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes Bullgarisë dhe Kosovës. /teve1.info/