Sulmi më i ri i Kurtit ndaj mediave: “Nuk ka nevojë që ata (Beogradi), t’iu gënjejnë më shumë… e qe ta kuptoni se nuk duhet më t’i besoni asnjëherë”
Kryeministri Albin Kurti ka ofenduar gazetarët që kishin dalë sot te sheshi “Zahir Pajaziti”, ku ai po vendoste kurora lulesh, për ta pyetur rreth zhvillimeve të fundit. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq foli gjatë gjithë vikendit se si Mbretëria e Bashkuar ka dërguar armatim në Kosovë duke thënë se për këtë do të kërkojë shpjegim edhe nga Kryeministri i Britanisë së Madhe. Kur u pyet për këto deklarata, së paku për ta dhënë një version të tij, Kurti në vend se t’ia kthejë një përgjigje Vuçiqit zgjodhi të merret me gazetarët duke u thënë atyre “Nuk ka nevojë që ata (Beogradi), t’iu gënjejnë më shumë… e qe ta kuptoni se nuk duhet më t’i besoni asnjëherë” ka thënë Kurti.
Pastaj, ka vazhduar me përgjigjen konfrontuese.
“Unë iu përgjigja juve, ju lutem mos i merrni deklaratat e tyre për fakte me të cilat pastaj na bëni pyetje neve” ka thënë ai.
Të premten që shkoi një avion i madh ushtarak britanik ka ateruar në Aeroportin e Sllatinës.
Media serbe e afërt me Vuçiq “Novosti” shkroi se aeroplani ushtarak i forcave ajrore britanike, që ateroi në Prishtinë, ka realizuar dërgesën e raketave anti-tank “Javelin” dhe “NLAV”, të cilat po përdoren edhe nga Ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse, si donacion nga shtetet perëndimore.
“Britania po armatos shqiptarët: Po u japin raketa, Vuçiqi kërkon një shpjegim nga Johnson”, ka qenë titulli alarmues i Novosti-t.
Pas këtij shkrimi, doli vetë Vuçiq në media për të kërkuar shpjegime nga britanikët.
Vuçiç duke e marrë si të mirëqenë se britanikët kanë sjellë armë në Kosovë, është shprehur se askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.
“Marrëveshja e Kumanovës parasheh vetëm KFOR-in si forcë në Kosovë”, tha ai.
“Pyetja ime për Perëndimin është shumë e thjeshtë, jo vetëm për britanikët që i armatosin me armë shumë të rrezikshme – a jeni ju ata që na kërkoni të respektojmë ligjin ndërkombëtar çdo herë dhe ju e shkelni atë çdo ditë. Pse i armatosni? ” Ju pengon kur armatoset Serbia, ndërsa jo kur këtë e bënë Kroacia?”, ka thënë Vuçiq.
Sido që të jetë, Kurti dhe ministrat e tij janë duke ndjekur një qasje arrogante ndaj mediave kur ato u bëjnë pyetje. Javën që shkoi, Ministri i Brendshëm Xhelal Svecla përdori gjuhë të paparanueshme ndaj gazetares e cili e pyeti për punësimin e motrës, në një konferencë ku Sveçla po fliste për sulmet ndaj policisë në veri. I ekzaltuar që po flet për tema të mëdha, ai i tha gazetarës se po flet “budallëllëqe”. Pikërisht Sveçla u ftua nga Kurti për ta pritur gazetaren e pare nga Ukraina që erdhi në Kosovë pasi shteti i Kosovës u zotua se do t’i pres 20 gazetatarë nga ky vend i goditur nga lufta.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2021 ka konstatuar se gjatë qeverisjes së Kurtit liria e medias ka pësuar kufizime serioze ndërkohë që janë evidentuar edhe situata kur gazetarët janë sulmuar edhe fizikisht.
Në linjën e parë të sulmeve ndaj mediave, nga VV po qëndron edhe kandidati për deputet i VV’së Hysamedin Feraj i cili një një postim në facebook bëri ndërlidhje të “sulmeve” ndaj Kosovës dhe Ministrit Svecla.
“Çfarë koincidence!
Serbia e sulmon me armë policinë e Kosovës. Pak mbas saj, opozita dhe media e dirigjuar prej saj e sulojmë verbalisht ministrin që drejton policinë.
Sigurisht, pa koordinim me Serbinë!“ shkroi Feraj.