Një Banjskë tjetër në një të ardhme të afërt nuk ka të ngjarë të ndodhë. Dhe kjo sepse paraushtarakët serbë të Millan Radojçiqit “e morrën mësimin atë ditë”.
Kështu tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në A2CNN të Shqipërisë, duke folur gjerë e gjatë për “rrezikun real” nga Serbia.
“Nuk do të mund ta përsërisin Banjskën e shtatorit të vitit të kaluar në një të ardhme të afërt…e kanë marrë mësimin me 24 shtator”.
Konstatimi i i madh Kurtit ishte që “shumica dërmuese e kriminelëve kanë ikur nga Veriu i Kosovës” dhe se tash “veriu s’ka qenë kurrë më i sigurtë”.
Sa për serbët vendorë, tha ai, “kemi informacione që kanë filluar një frymë të re të jetesës”.
“Janë të lumtur që ua hoqëm qafesh kriminelët”, vazhdoi ai thuajse në formë monologu – “…siguria e tyre veçsa vjen e rritet”.
As kryetarët shqiptarë në veri, tha Kurti, serbët nuk kanë dashur t’i heqin – derisa vazhdoi të çojë konstatimet në oktava edhe më të larta: “numër i konsiderueshëm i serbëve më shumë preferojnë këta shqiptarët kryetarët që janë, se sa ato të Radojçiqit”.
“Nëse Beogradi do ta dinte që 50% e serbëve duan largimin e kryetarëve shqiptarë, do t’u thoshte dilni në referendum. Por duke e parë që nuk i kanë 50%, ata ftohet në bojkot. Bojkoti vjen nga pafuqia dhe jo fuqia…s’kam as interes që serbët të asimilohen në shqiptar. Ne nuk jemi të rrezikuar nga serbët, s’janë as 4%”, tha ai.
Në raport me Serbinë dhe rrezikun e saj, Kurti tha që vendi synon të zmadhojë kapacitetet dhe aftësitë “që sulmi ndaj nesh, për ta, të bëhet i paleverdishëm”; dhe madje shtoi se “ata e kuptojnë këtë”.
“Natyrisht kemi partnerë e miq tanë, kemi Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan dhe jo vetëm dhe e kemi NATO-n e cila ndonëse nuk na ka pranuar, ne e kemi NATO-n të integruar në arkitekturën tonë të sigurisë”.
Duke i qëndruar refrenit të Banjskës, ai iu kthye analizimit të qëllimit të tyre: “Ata morën peng pelegrinët serbë…ka mundësi që kanë qenë edhe koordinim…kanë dashur gjakë dhe shpërndarje të konfliktit…Kjo ka dështuar”:
“Ata paramilitarë të Banjskës, ata nuk e kanë pasur ndërmend të ketë luftë vetëm një ditë e vetëm në atë vend, armatimi ka qenë për shpërndarje të konfliktit… Plani tjetër, kanë shpresuar që ne ta çojmë FSK-në ta kalojë lumin Ibër, që të shërbejë që KFOR-i të i ndalojë, ose që të hyjë ushtria serbe.”.
Sa i përket veprimieve që kanë çuar në sanksionimit e Kosovës – dhe, po, tha Kurti, “sanksione janë”, vetëm se i kanë quajtur ndryshe, “masa ndëshkuese” – ai shtoi se “edhe po të isha kthyer në kohë, asgjë nuk do të bëja ndryshe”.
“Nga ShBA po blejmë Javelinë, ndërkaq nga Turqia po blejmë dronë Bajraktazë. Dhe, kemi katërfishuar trajnimet për ushtarët dhe oficerët jashtë vendit, trefishuar buxheti për armatim dhe municion. Këto i bëjmë për shkak të kërcënimit real”.
“Neve na duhet të marrim masa dhe të jemi të përgatitur që ata të mendojnë dy herë nëse duan të na sulmojnë dhe nëse na sulmojnë atëherë të dështojnë siç kanë bërë ngaherë”, tha Kurti.