Nesër në ora 10:00 sipas ftesës nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do duhej të paraqitej për intervistim, si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.
Madje Gjykata Themelore e Prishtinës, para disa ditësh ka lëshuar edhe urdhër për ta përfunduar këtë detyrë ligjore, transmeton klankosova.tv.
Por, duket se as kësaj here Kurti s’e ka nijet të paraqitet në zyrat e Prokurorisë Speciale siç i kërkohet.
Ai bashkë edhe me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sipas agjendës, do të marrin pjesë në vendosjen e një gurthemeli të një çerdheje të re në Gjilan. Dhe kjo ndodhë pikërisht në kohën e njëjtë kur Gjykata e urdhëroi të intervistohet në Prokurorinë Speciale.
Kështu thotë të paktën një ftesë për media e dërguar nga MASHT-i.
Mbetet të shihet nëse kreu i ekzekutivit do t’i përgjigjet ftesës kësaj radhe, anise ftesa e MASHT-it, mes rreshtash konfirmon pjesëmarrjen e tij në ngjarjen në Gjilan. Kjo pasi në tri rastet e para ai ka refuzuar që të jap dëshmi, pavarësisht thirrjeve.
Klankosova.tv ka pyetur në Qeveri mbi situatën, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka kthyer përgjigje.
