Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se do të takohet me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, por nuk tregoi se çka do të bisedohet, raporton Ekonomia Online.
“E kemi një takim me të gjithë ambasadorët e akredituar nga Qeveria në orën 11:00 pastaj e kemi një drekë punë më emisarin e veçantë Miroslav Lajçak”.
“Ajo se çka do të diskutohet, do të iu tregojmë në fund të takimit”, tha Kurti, i pyetur nga gazetarët pas ngjarjes së lansimit të Programit të Punësimit të të Rinjve.
Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi mbetet një nga preokupimet kryesore të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, komuniteti ndërkombëtar është duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kusht për ta trasuar rrugën për një dialog të mirëfilltë me Serbinë.
Mirëpo, një gjë të tillë po e refuzon kryeministri Albin Kurti, duke thënë se komuniteti serb në Kosovë ka të drejta më shumë se çdo minoritet në cilin do vend të Evropës.