Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit, e bëri sot në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
“Situata në veri të Kosovës duhet të de-eskalohet. Për këtë është e nevojshme që të mos ketë më protesta të dhunshme, ata të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët duhet të përballen me drejtësinë dhe në të ardhmen të kemi zgjedhje të lira, ku qytetarët e shprehin lirshëm vullnetin e tyre”, tha ai.
Sipas tij, veriu i Kosovës, ka nevojë për zgjedhje të lira, por nevojitet paraprakisht sundim të ligjit, si dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë.
Kurti dhe Rashiq vënë gurthemelin e shtëpisë për familjen 11-anëtarëshe në Muhoc të Ferizajt
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Mevlud Sinani mori sot pjesë në vendosjen e gurthemelit të shtëpisë së familjes gorane në fshatin Muhoc të Ferizajt, përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Në këtë ceremoni të gurthemelit kryeministri Kurti tha se ishin sot në këtë fshat me rastin e inaugurimit të shtëpisë për familjen gorane 11-anëtarëshe e cila së shpejti do të ketë strehim solid për familjen e saj. Ai shprehu falënderim ndaj kësaj familjeje që përkundër sfidave ajo vazhdon të jap kontributin e saj për vendin.‘
’E gëzofshi e ju priftë e mbara. Ju dëshiroj suksese në të ardhmen” tha ai.
Kryeministri ka vlerësuar po ashtu edhe punën e ministrit Nenad Rashiq i cili tha se po e gjen mbështetjen gjithnjë e më të madhe të qytetarëve jo vetëm serbë në vendin tonë.