Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shtruar iftar për myftiun e Kosovës, Naim Tërnava dhe bashkëpuntorët e tij, por ajo që bie në sy nga fotografia e publikuar nga Zyra e Kryeministrit, janë dhjetëra shishe me verë që duken prapa shpinës së myftiut.
Ndërsa në postimin nga zyra shkruhet se Kurti ka uruar agjërim sa më të lehtë të ditëve të mbetura të këtij muaji të shenjtë për besimtarët myslimanë, duket se asnjë nuk i ka vënë re shishet me alkool – pije e ndaluar rreptësisht për myslimanët.
“Muaji Ramazanit është muaj i devotshmërisë, mirësjelljes me njerëzit përreth dhe ndihmës për atë në nevojë. Në iftare të përbashkëta si sonte përcjellim mesazhin e tolerancës, solidaritetit dhe mirësisë,” – thuhet në njoftimin e zyrës ku tregohet afrimiteti i Kurtit me të ftuarit, megjithatë nga ajo që tregon fotografia, mikpritësi, në këtë rast kryeministri duket se nuk e ka menduar edhe shumë thellë se shishet me alkool mund të shqetësojnë myftiun apo të tjerët.
Kujtojmë se kryeministri që nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit është komentuar shumë pasi në dy raste është fotografuar duke konsumuar alkool. Një herë në shoqërinë e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe një herë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.