Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përgjatë vizitës që ka pasur në Mal të Zi ka folur edhe për temën e demarkacionit të kufirit në mes të dy shteteve. Shefja e shtetit ka thënë se për të demarkacioni është një punë që është përfunduar në Kuvendin e Kosovës ku edhe është ratifikuar.
“Unë jam këtu para së gjithash për të parë se si mund të hapim një kapitull të ri bashkëpunimi. Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje dypalëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”, ka deklaruar presidentja Osmani pas takimit që ka pasur me homologun Milo Gjukanoviq.
Teksa ka folur për hapat e paraparë në marrëveshje, Osmani ka thënë se s’është kundër themelimit të një komisioni për trajtimin e çështjeve të hapura teknike por jo edhe politike.
“Deklarata e nënshkruar mes dy presidentëve parashikon ndër të tjera se do të formohet një komision i ri teknik me ekspertë nga të dyja palët për t’u ulur dhe për të trajtuar çdo çështje të hapur. Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona”, ka thënë ajo.
Kjo çështje sipas saj duhet të zgjidhet midis ekspertëve sipas deklaratës së dy presidentëve.
Por krejt qëndrim tjetër për këtë temë kishte dhënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mars të vitit 2022. Pas një vizitë që kishte realizuar në shkollën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, Kurti kishte thënë se shpreson që do të krijoheshin kushte të reja me qeverinë e re të drejtuar nga Dritan Abazoviq në Mal të Zi që çështja e demarkacionit të trajtohet.
Kurti potenconte se marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi është e gabuar meqë në mënyrë të dëmshme iu dhanë Malit të Zi 8 mijë e 200 hektar të territori të Kosovës./gazetaexpress
“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, kishte deklaruar kryeministri Kurti.