Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me vdekjen e akademikut, profesorit, mjeshtri i artit Shyqri Nimani.
Kurti shkroi në Facebook se më pikëllim është njoftuar për vdekjen e tij.
Ndërsa tha se Profesori Nimani do të mbetet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008.
Postimi i plotë:
Me pikëllim mora lajmin sot për vdekjen e profesorit, dizajnerit grafik, dhe autorit Shyqri Nimanit. Profesor Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend. Si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe të koleksionit të saj. Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi. Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008. Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit kulturor!