Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia në dialog ka pozicion më të dobësuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai tha se edhe kërkesa e tanishme e Serbisë për Asociacionin është politike meqë, sipas Kurtit, serbët kanë qenë në dijeni se ai është kundërshtuesi më i madh i këtij mekanizmi.
“Asociacioni është bërë para 8-10 vjetësh. Çka po i bie, që Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër për t’u zbatuar ai kur dihet veprimi dhe qëndrimi im? Pra, e paskan pritur kundërshtarin më të madh të Asociacionit për ta zbatuar atë? Pra, edhe në një aspekt politik dhe logjik është plotësisht e gabuar. Po të ishte Asociacioni prioritet i tyre do ta kishin zbatuar me ata që e kanë nënshkruar. Është dashur ta zbatojnë në vitet e mëhershme, jo ta presin që unë të bëhem kryeministër për ta zbatuar”.
Kurti tha se përmes tij Serbia synon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës dhe jo pse është nevojë e serbëve të Kosovës.
“Është shume e qartë se nuk e duan si vlerë për vete, por si armë kundër Kosovës. Nuk është as nevojë e serbëve, por është si armë kundër shtetësisë së Kosovës dhe kjo e fundit e bën të qartë”.