Qytetarët na kanë besuar neve që ta bëjëmë ndryshimin. Ky vit ishte vit i kthesës drejt zhvillimit.
Kështu ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, ku 365 ditët e para të qeverisjes, ai i ka cilësuar si ditë të vitit të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.
“Përafërsisht në këtë orë, para një viti më 22 mars 2021, ne morëm detyrën e re. Qytetarët në vitin e kaluar, votuan për riorientimin demokratik dhe evropian të shoqërisë sonë. Votuan për luftën ndaj korrupsionit institucional dhe financiar; për kthimin e virtyteve në institucione që shpërndajnë barazi e drejtësi; votuan për kthimin e aftësisë në borde që administrojnë burimet ekonomike dhe njerëzore”, tha Kurti.
“Vota e qytetarëve të Republikës aneambanë vendin tonë, u bë edhe votë në kuvendin e Republikës për qeverinë tonë e të tyre. Këtë e kemi bërë ne në një vit të punës ku gjatë këtyre 365 ditëve kishim gjithsej 67 mbledhje të qeverisë, e ku morëm 581 vendime që sot i tejkalojmë 600 sosh. Proceduam 128 projektligje ku sot i kalojmë edhe 130, më shumë sesa çdo qeveri tjetër paraprake, në vitin e parë të saj”.
Tutje Kurti tha se viti i parë i qeverisjes së tij është përshkruar me navigim në kriza botërore, duke përmendur pandeminë e COVID-19.
“Përgjatë një viti kemi naviguar nëpër kriza botërore, të cilat kanë testuar jo vetëm aftësinë tonë qeverisëse, por edhe qëndrueshmërinë tonë shoqërore. Së bashku kemi menaxhuar pandeminë COVID-19 me masa të cilat kanë ruajtur edhe shëndetin publik të qytetarëve, edhe shëndetin e ekonomisë tonë publike e private. Duke e shënuar numrin më të ulët të vdekjeve në rajon e shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon, pasi kemi përmbushur zotimin duke vaksinuar mbi 60 % të popullsisnë dhe sot kemi hapur ekonomimë”.
Kurti theksoi se krahas pandemisë, krizë ka qenë edhe kriza energjetike që ende s’ka kaluar.
“Së bashku i kemi marrë masat emergjente duke subvencionuar koston shtesë në mënyrë që kriza të mos i rëndojë ata që fitojnë më së paku. S’ka dyshim që problemet që i kemi trashëguar janë të mëdha, e sfidat që i kemi përpara janë edhe më të mëdha. Por, qytetarët na kanë besuar neve që ta bëjmë ndryshimin. Ky vit ishte vit i kthesës drejt zhvillimit”, tha ai.