Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në praninë e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian ka kritikuar ashpër këta të fundit duke thënë se kanë pranuar kushtet e Serbisë.
Ai ka thënë se sot e ka marrë vesh për një dokument për të cilin thotë se është “kushtëzimi i Serbisë”, derisa ka vazhduar duke thënë se “qëndrimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësuesit Lajçak”.
“Unë sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes sepse i është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim e që është kushtëzimi i Serbisë. Këtë dokument nuk e kam pasur më herët, nuk e kanë publikuar, kam dëgjuar deklarata e kam besuar se janë qëndrime të njërës palë, por për mua nuk ishte e qartë se qëndrimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësuesit Lajçak.”, ka thënë Kurti.
Ai më tutje ka thënë se marrëveshja bazë është njohje de facto, por nuk mund të injorohet dhe të hidhet poshtë pasi e njëjta është pranuar dhe është publikuar.
“Për të ecur përpara, duhet të tejkalohet kjo, cilido student i fakultetit juridik kudo në botë kur ta lexon marrëveshjen bazike thotë se jo është njohje reciproke de facto, e kemi preambulën, nenet e para dhe askund nuk e gjen Asociaiconin e Komunave me Shumicë Serbe, duhej të shoh se cilat janë marrëveshjet e Brukselit të cilat iu referohet neni 10 të di se qenkan obligime paraprake. Por kjo marrëveshje është e qartë se është njohje de facto dhe tash ta anashkalosh këtë esencë të kësaj marrëveshje dhe këtë prioritizim të gjërave aty dhe ta vendosësh ASK-në si parakusht thua se jemi në vitin 2013 është në kundërshtim me vetë marrëveshjen bazike që e kemi pranuar dhe e kemi lansuar.”, tha Kurti.