Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Procesi i Berilinit po fuqizohet me kancelarin gjerman Olaf Shcolz.
Ai ka dhënë detaje nga tri marrëveshjet që janë nënshkruar sot nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.
“Procesi i Berlinit po e fillon një fuqizim me kancelarin Olaf Scholz i cili e udhëhoqi samitin e sotëm me ç’rast diskutuam edhe shumë tema, sidomos për energjinë dhe bashkëpunimin rajonal. Mbi të gjitha i nënshkruam tri marrëveshje të cilat ka dy vjet që negociohen. Bëhet fjalë për marrëveshjen për kartat e identitetit apo me letërnjoftime, marrëveshjen e cila bën njohjen e kualifikimeve të institucioneve të arsimit të lartë dhe marrëveshjen tjetër për njohjen e kualifikimeve profesionale ku janë tri profesione në pyetje – mjekët, dentistët dhe arkitektët – marrëveshje kjo që është në përputhje me direktivën e BE-së 2005/36/EC”.
“Me këtë rast falënderoj kancelarin Scholz për mikpritjen dhe angazhimin e madh të ekipit të tij në këta muajt e fundit, sidomos javëve të fundit që të vijë deri te nënshkrimi i këtyre tri marrëveshjeve. Meqë këto tri marrëveshje janë ndërkombëtare mes gjashtë shteteve pason ratifikimi në parlament veç e veç dhe ta zëmë në këtë mënyrë nga Prishtina në Sarajevë dhe nga Sarajeva në Prishtinë do të mund të udhëtohet vetëm me letërnjoftime që është një lajm shumë i gëzueshëm për qytetarët e dy vendeve tona”, tha Kurti në adresimin para mediave kosovare në Berlin