Senatorja amerikane, Joni Ernst ka paralajmëruar se nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo mund të krijojë një “efekt të dominosë”, duke përmendur këtu tensionet e mundshme në Ballkanin Perëndimor, më konkretisht në Kosovë.
Politikanja republikane, gjatë së martës ka thënë se Putin nuk njeh kufi dhe se kjo nënkupton që ai nuk do të ndalojë, shkruan The Gazette, përcjell Demokracia.com.
“Nëse ka sukses në Ukrianë, Putin mund ta lëvizë drejt Moldavisë, shtet jo anëtar i NATO-s ku ka deri në 1500 trupa ruse tani. Serbia ka aleanca me Rusinë dhe Kinën. Kryeministri i Kosovës është i shqetësuar se nëse Ukriana bie, atëherë Serbia do ta pushtojë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës”, ka thënë ajo.
Ernst nuk ka mbështetur një ndërhyrje direkte në Ukrainë, megjithatë, shtoi se ky shtet mund të fitojë me ndihmën e duhur nga NATO dhe SHBA-ja, përcjell Demokracia.com.
Ndryshe, Kurti dhe Ernst kanë zhvilluar një bisedë telefonike më 25 mars, të cilën e kishte konfirmuar vetë kryeministri i Kosovës.
Kurti megjithatë, në njoftimin e tij nuk ka thënë se kanë biseduar lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, derisa ka theksuar se diskutuan lidhur me FSK-në dhe punën me SHBA-të që të promovohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës në mars kishte deklaruar se ka frikë që sa më shumë të vazhdojë lufta, aq më të mëdha janë mundësitë e përhapjes në Ballkanin Perëndimor./Demokracia.com/