Kryeministri Albin Kurti përmendi “rrahjet e zemrave” të brezave që kanë kontribuar për pavarësinë e vendit, ndërsa foli në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë për nder të përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të shtetit.
Ai tha se bora e sotme dhe temperaturat po e lehtësojnë kujtimin e tij për 17 Shkurtin 2008.
“Bora që kishte rënë sot herë në mëngjes dhe temperaturat minus në ditën e sotme, na e lehtësojnë kujtimin e 17 Shkurtit 2008 që ishte një ditë me mot aq të ftohtë. Por duke i dëgjuar rrahjet e zemrave të të gjithë brezave që kanë kontribuar për atë ditë, zemrat tona ngrohen mes nesh bashkë duke u forcuar për këtë ditë feste të përbashkët”, tha Kurti.
“Rrahjet e zemrave” të të parëve, i kishte përmendur kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi më 17 shkurt 2008, kur e shpallte pavarësinë në Kuvendin e Kosovës.
“Tani, më lejoni, që duke ndjerë rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë në veshët tonë unë me privilegjin më të madh do ta lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës…”, thoshte Thaçi atë ditë.