Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar heroin Sali Çekaj në 24 vjetorin e rënies.
Kurti ka thënë se Sali Çekaj kishte rol kyç në organizimin e dy grupeve që u stërvitën në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1991, ku ishin edhe Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari.
“Sot është përvjetori i 24-të i rënies dëshmor i Sali Çekajt! Ai u vra në përballje me forcat serbe më 19 prill 1999, gjatë luftimeve të betejës së Koshares, betejë kjo në të cilën ai ishte një nga planifikuesit dhe komandantët kryesorë të operacioneve. Atë kohë, Saliu ishte 42 vjeç, por me kohë ai kishte marrë nofkën “Veterani”, sepse me angazhimin e tij patriotik, ai ishte vërtetë veteran për nga përvoja”, shkroi kryeministri Kurti në Facebook.
“Aktivist politik, ushtarak, organizator mobilizues dhe komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Sali Çekaj rezulton të jetë një nga profilet më shumëdimensionale në historinë e lëvizjeve për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ky hero në vepër dhe hero i shpallur i Kosovës, frymëzoi e u krijoi mundësi veprimi edhe shumë luftëtarëve çlirimtarë të tjerë më pas. Lavdi veprës patriotike të Sali Çekajt, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës!”, shkroi tutje.