Zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit dhe Asociacioni në rend. Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë kërkesa të vështira kryeministrit Albin Kurti, i cili sot duhet të vendosë se çfarë do të bëjë. Ai thotë se “nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi”. Megjithatë, vendime të vështira e presin, pasi presioni ndërkombëtar ndaj tij nuk ka qenë kurrë më i madh tash, kur SHBA-ja dhe BE-ja e ka shpallur atë fajtor për krizën e fundit në veri të vendit.
Kosova duket sikur ndodhet në udhëkryq, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare po pret që kryeministri Albin Kurti të ndërrojë qëndrim dhe t’i pranojë kërkesat e tyre për shtensionimin e situatës në veri. Ndërkombëtarët e shohin përgjegjës Kurtin për tensionimin e situatës ditëve të fundit në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para një jave u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.
Kurti duhet të vendosë sot nëse do t’i përfill kërkesat e ndërkombëtarëve. Atij të hënën në mbrëmje i janë kërkuar tri gjëra: qetësimi i situatës në veri (që nënkupton edhe tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale për të punuar në zyra alternative), mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog.
Emisarët e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, të hënën u takuan me shefin e qeverisë kosovare në Prishtinë, nga ku thanë se janë “në fillim të misionit” të tyre, i cili u tha se do të zgjaste dy ditë.
Escobar tregoi të martën në një takim me gazetarë se Kurti në njëfarë mënyre ka vetëm edhe sot afat të pajtohet ose jo me propozimet e tyre.
“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha ai. Aty Escobar tha gjithashtu se “kemi disa sfida në marrëdhëniet me kryeministrin”.
“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçak të hënën pas takimit. Escobar, ndërkaq tha se në takimin mbi dy orësh shkoi si mik i Kosovës dhe se shpreson që tani Kurti do t’i marrë parasysh fjalët e tyre.
Por Kurti tha sot se s’bëhet fjalë për ultimatum dhe se e ka ofruar një “mënyrë të sigurt” për dalje nga kriza.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi. Ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale… E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, tha kryeministri.
Gjithsesi, pas takimit të së hënës, dy diplomatët mbetën me shpresë se Kurti do të lëvizë nga qëndrimi i tij. “Shpresoj të dëgjohemi”, tha Lajçak. “Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçak.
Cili është qëndrimi i Kurtit?
Kryeministri Albin Kurti është pajtuar për “angazhim intensiv për deeskalimin e situatës” dhe “normalizimin e marrëdhënieve” me Serbinë, por edhe pas takimit me emisarët, nuk ka lëvizur nga qëndrimi.
Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit pas atij takimi, Kurti ka thënë se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve” si dhe u ka kërkuar dy të dërguarve që të bëjnë thirrje për ndaljen e dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim për kryesit.
Kurti kishte shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja, por duke thënë se atyre mund t’iu hapë rrugë vetëm sundimi i ligjit. Kryeministri, siç ka deklaruar edhe më herët, dëgjiron largimin e bandave nga komunat veriore , duke i çuar në burg në Kosovë, ose duke i larguar drejt Beogradit.
“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, u tha në njoftimin e ZKM-së pas takimit të Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun.
Asociacioni kërkesë urgjente
Bashkimi Europian ka kërkuar që zgjedhjet e reja në veri “të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, u tha në deklaratën e Unionit, të lëshuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell të shtunën.
Aty s’është harruar të përmendet as Asociacioni. Për të nisur punën për themelimin e një bashkësie komunash me shumicë serbe, BE ka kërkuar që të mos ketë parakushte.
“Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është thënë mes tjerash në thirrjen e bllokut europian”, u tha në deklaratë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë të dielën për BBC-në se përshkallëzimi i tensioneve në veri ka mundur të shmanget, por që ai “ka qenë rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar”.
Escobar foli për rezistencë nga Qeveria e Kosovës në përpjekjet e tyre për t’u koordinuar, ndërsa ka treguar se cilat janë kërkesat e qarta të tyre për kryeministrin e Kosovës.
“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Me ose pa Kurtin”
I dërguari amerikan, Gabriel Escobar nuk e përjashton mundësinë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet me një kryeministër tjetër dhe jo Albin Kurtin. Ai tha se Kurti duhet ta prezantojë një draft të statutit të Asciacionit “tani, menjëherë”.
“Ata duhet menjëherë të prezantojnë një draft që do të jetësojë atë, menjëherë. Tani. Menjëherë. Dhe ata e kanë një, por nuk duan paraqesin”, tha ai në bisedën e së martës me gazetarë.
Escobar tha se Asociacioni “do të ndodhë”. Pyetja, tha ai, është vetëm “me kë”.
Këtë e kishte thënë paraprakisht në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse” dhe të njëjtën gjë e përsëriti edhe sot nga Beogradi.
“Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha ai.