Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “dëshiron të bëhet mbret”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë ekskluzive për gazetën e përditshme konvervative kroate “Veçernji List”. “Vuçiqit ia ngre nervat demokracia”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë e cila ende nuk është botuar e plotë, Kurti flet për atë se vendi kohëve të fundit është pajisur me dronë Bayraktar nga Turqia dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka numër të të madh të ushtarëve, krahas edhe buxhetit të dyfishuar për çështje të mbrojtjes.
Kurti i thotë “Veçernji List”-it se Kosova është rrethuar me baza të ushtrisë serbe dhe prandaj edhe “jemi tejet të kujdesshëm”.
“Ne blemë Bayraktarët, dyfishuam buxhetin për ushtrinë dhe rritëm numrin e ushtarëve. Ka baza ofanzive dhe Ushtria e Serbisë është pranë kufijve, dhe prandaj edhe jemi tejet të kujdesshëm”, ka thënë Albin Kurti.
Hiç më larg se dje Gazeta me bazë në Londër “Middle East Eye” e cila mbulon ngjarjet në Lindje të Mesme doli me një artikull për blerjen e dronëve të tipit Bayraktar TB2 nga Kosova ku analizoi gjerësisht edhe situatën e tensionuar të kohëve të fundit në pjesën veriore të vendit.
Kjo gazetë londineze do të thirrej edhe në një “burim të afërt” me qeverinë kosovare në dritën e kësaj blerje të re të dronëve nga Turqia dhe se çfarë nënkupton në nivelin politik bilateral dhe të mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Ky burim i thotë gazetës në rend të parë se për shkak të “qasjes të marrjes me të mirë Serbinë nga Perëndimi” kjo brenda lidershipit kosovar ka bërë që “rëndësia strategjike e Turqisë të kthehet në fokus të thellë”.
Dhe këtu, thotë ai, duke ia shtuar edhe kontekstin e blerjes së dronëve turq “ka të ngjarë të forcohet ndjeshëm, duke çuar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”.
Tregimin e saj MEE e nis me atë që duke qenë se krijohet një “zbrazëtirë” për sa kohë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zëna në heqjen e Serbisë nga orbita ruse, Turqia po provon ta zë “atë zbrazëtirë” të rolit që BE dhe ShBA kanë në Kosovë.
Me këtë e lidh saktësisht këtë blerje të re të dronëve, e që edhe duke biseduar me një “burim të afërt” me qeverinë kosvoare, e mbështet edhe më tej tezën e saj.
Ky burim qeveritar i thotë gazetës londineze se në të kaluarën qeveritë kosovare “mirëmbanin një distancë publike nga Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan pavarësisht marrëdhënieve të forta instucionale”.
Kjo ngase, siç ua shpjegon ai, “ekzistonte frika në Prishtinë që nëse do të kishte ndofarë percepsioni se Kosova po bashkërendohet me afër me Erdoganin kjo do të ngjallte dyshime te Perëndimi”.
“Sidoqoftë, është thelbësore që liderët perëndimorë të pranojnë se Kurti është një politikan pragmatik që e kupton realpolitikën dhe i përshtatet rrethanave në ndryshim. Brenda lidershipit të Kosovës, marrja e vazhdueshnme me të mirë e Serbisë nga Perëndimi ka sjellë në fokus të thellë rëndësinë strategjike të Turqisë”, shtoi burimi.
“Si rezultat, ndikimi turk në Kosovë ka të ngjarë të forcohet ndjeshëm, duke çuar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”.