Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë në Shqipëri ku është takuar me krerët e shtetit atje.
Pas takimeve që ka zhvilluar Kurti ka dhënë një intervistë për mediat në Shqipëria.
Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve kishte theksuar 2 gjëra kryesore, që sipas tij janë suksesi dhe progresi demokratike e ekonomik i Kosovës.
“Gjatë këtyre takimeve theksova dy gjëra kryesore. E para është suksesi dhe progresi demokratik e ekonomik i Kosovës në këto 2 vite të qeverisjes tonë, që është një progres i pashembullt në Kosovën e pavarur. Në anën tjetër i informova për detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve që kemi realizuar së pari në Bruksel dhe më pas edhe ankesin e zbatimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi, dhe në hollësi me procesin e dialogut, por edhe me elementët përbërës të marrëveshjes që tani duhet të zbatohet”.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se krerët e shtetit shqiptar e kanë mbështetur për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur, ndërsa tha se Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe këtë e dëshmon si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale.
“Presidenti Begaj, Kryetarja Nikolla dhe Kryeministri Rama më kanë mbështetur për procesin e dialogu dhe marrëveshjen që kam arritur. Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe atë e dëshmon edhe në arenën ndërkombëtare, por edhe në marrëdhëniet tona bilaterale. Me kryeministrin Rama u dakorduam që mbledhja e ardhshme midis 2 qeverive do të jetë qershor. Por gjithashtu biseduam edhe për zbatimin e deritanishëm të marrëveshjeve të nënshtruara dhe çfarë do të mund të bëjmë edhe marrëveshje të reja, edhe zbatime të reja.” – ka thënë Kurti, raporton Tv Klan.
Duke folur për forumet ndërkombëtare, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë.
“Çdoherë kur diskutohet duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial. Por gjithashtu të na ndihmojnë edhe në anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, meqenëse e dimë që Shqipëria ka edhe ulëse në OKB dhe është gjithandej pjesëmarrëse e anëtare. Njëkohësisht desha që t’i informoj në mënyrë që një situatë komplekse e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të jetë sa më e qartë për ta, në mënyrë që edhe mbrojtja që do t’i bëjnë Kosovës të jetë sa më e saktë dhe e dobishme”.