Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Ligjin e Pagave dhe atë të Zyrtarëve Publikë, për të cilët tha që u desh shumë kohë që të përgatiteshin që të mos përfundojnë në Gjykata e të rrëzohen, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media sot pasdite, Kurti është shprehur i lumtur që këto dy ligje kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës.
“Ligji për Paga u bë shumë mirë që kaloi në Kuvendin e Kosovës bashkë me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kemi marrë kohë mbase më shumë sesa që do të kishim dëshiruar, por jo më shumë sesa që ka qenë e nevojshme. Dëshirojmë të përgatitemi mirë që ligjet të mos na përfundojnë e rrëzohen nëpër gjykata, andaj edhe duke pasë parasysh edhe përvojën e hidhur kur u tentua herën e parë na është nevojitur një kohë e tillë më e gjatë”.
Kryeministri Kurti bëri të ditur edhe prej kur do fillojë implementimi i Ligjit të Ri dhe vlerën e buxhetit që është ndarë për këto paga.
“Prej 1 shkurti hyn në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga është 745 milionë euro. Për neve pikënisja është tërësia. Andaj ne s’e kemi pasë si pikënisje vlerën e koeficientit, por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo do të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit do të fillojnë pagat me Ligjin e Pagave”.
Ndërkaq, për caktimin e vlerës së koeficientit, ai tha se do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm.
“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave, sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar. Ju po kërkoni tash përafërsisht sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej juve dhe jo përafërsisht, por saktësisht në janar 2023”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik. Ky ligj zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.
Për të hyrë në fuqi Ligji për pagat, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur Projektligjin për pagat.
Ata, përmes disa amendamenteve të cilat nuk kanë marrë miratim në Kuvend, kanë kërkuar rritje të koeficientit për punëtorë në disa sektorë, si në shëndetësi, arsim e të tjera.
Në projektligjin e miratuar në lexim të dytë nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të buxhetit”.
Kuvendi i Kosovës, ka miratuar Ligjin për buxhetin, por nuk është përcaktuar ndonjë vlerë monetare e koeficientit për pagat e punonjësve të sektorit publik.
Deputetë të partive opozitare kanë kundërshtuar votimin e Projektligjit për pagat edhe për shkak të mospërfshirjes së vlerës monetare të koeficientit në projektligj.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Koeficienti më i lartë, 18, sipas Projektligjit për pagat, i takon vetëm presidentit të Kosovës.
Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.
Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.
Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6.
Çfarë parasheh projektligji për pagat?
Në fund të gushtit të këtij viti, mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë kanë mbajtur grevë në kërkim të miratimit të këtij projektligji.
Për pasojë, procesi mësimor pati nisur me një muaj vonesë.
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.
Deputeti Bekim Haxhiu nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, tha se do të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për Projektligjin për pagat.
Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata, më pas, konstatoi se ligji i miratuar nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Kuvendi i Kosovës në seancën e 22 dhjetorit ka miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për zyrtarët publikë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Ligjin për zyrtarët publikë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha se ligji bie ndesh me detyrimet që shteti ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.