Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë ka nxitur reagimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, lidhur me vendosjen e flamujve “Autoctonis”.
Në reagimin e zyrës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski, thuhet se vendosja e flamujve që nuk janë kombëtar është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja.
Lidhur me vendosjen e flamujve “Autoctonus”, pala maqedonase e ka kontaktuar edhe ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq hetimet për autorët e vendosjes së këtij flamuri, bëhet e ditur se kanë nisur.
“Në çdo rast, Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SPB Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet ne reagim.
Nga kabineti i Kovacevksit kanë dënuar faktin se në këtë vizitë nuk është kënduar himni e as nuk është vendosur flamuri i Maqedonisë së Veriut.
“Po ashtu nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se gjatë ditës ka kontaktuar me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me ikonografinë e përmendur të përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend. Në të njëjtën kohë, kabineti i kryeministrit thekson se është i dënueshëm fakti që në manifestimin e organizuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë. Kabineti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut thekson se, mbi të gjitha, vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte një vizitë private. Nga zyra e Kovaçevskit kanë njoftuar se MPB po merr masa për zbulimin e autorëve që kanë përdorur simbole “të palejueshme” gjatë vizitës së Kurtit”, thuhet në reagim.