Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zvogëlimin e pranisë policore në veri, nuk është për largim të njësive të caktuara.
Ai ka thënë se këto janë vendime të brendshme të Policisë, ku politika nuk mund të ndërhyjë.
“Njësitet policore nuk janë duke u zvogëluar, është duke u zvogëluar prania e policisë. Marrëveshja jonë nuk është për largim të kësaj apo asaj njësie, sepse këto janë vendime të brendshme të Policisë ku politika nuk përzihet dot”, ka thënë ai në vënien e gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.
Ai ka thënë se ky është gjest i vullnetit të mirë nga ana e Kosovës.
“Në dy javët e fundit nuk ka as protesta të dhunshme dhe as incidente. Duke e pasur këtë parasysh ne kemi thënë që është e dobishme të bëjmë një zvogëlim, reduktim për 25 për qind të policisë në ndërtesa dhe rrethina të tyre, si gjest i vullnetit të mirë nga ana e Kosovës”, është shprehur Kurti.
Sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara e shumicë serbe, Kurti ka thënë se ligji duhet të jetë mbi politikën në mënyrë që të ketë demokraci.