Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e sotme për media, deklaroi se Kryeministri Albin Kurti ka mbrojtur me dinjitet interesat e Kosovës në Ohër, pasi u pyet për protestën kundër marrëveshjes së arritur në Ohër që do të mbahet sot në Prishtinë.
E pyetur se a do të dalë në protestë sikurse ka bërë dikur kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe Haxhiu tha se nuk janë periudha të njëjta.
“Kosova s’ka pasë një kryeministër që mbron në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e qytetarëve. Asnjëherë më parë s’ka pasë përfaqësim më të dinjitetshëm të Kosovës, por siç e dini në të kaluarën kur interesat e shteti s’janë përfaqësuar drejt dhe denjësisht. Prandaj, edhe kemi pasë koncensione të shumta, pasojat e të cilave po i vuajmë sot”, tha Haxhiu.
Aji më tutje shtoi se për ata që e kundërshtojnë këtë marrëveshje janë në dispozicion mjetet demokratike.
“Nuk konsiderojmë që po cenohen interesat e Republikës së Kosovës, nuk konsiderojmë që po cenohen interesat e qytetarëve. Ata të cilët konsiderojnë [që po cenohen interesat] i kanë mjetet demokratike, të cilat i njeh edhe Kushtetuta e Kosovës, le të vazhdojnë”.