Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Botërore të Autizimit ka thënë se janë zotuar që t’i përmbushin obligimet që i kanë detyre e përgjegjësi.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka treguar se së bashku me disa fëmijë, prindër e pedagogë kanë vendosur mesazhe për ndërgjegjësim në pemën pranë Qeverisë.
Ai tutje ka thënë se aty ku nevojat janë më të mëdha, aty duhen edhe ndihma, edhe kontributi.
Postimi i plotë:
Në Ditën Botërore të Autizmit, bashkë me fëmijë, prindër e pedagogë, në pemën pranë ndërtesës së Qeverisë, vendosëm mesazhe për ndërgjegjësim. “Autizmi është veçanti nuk është uniformë”, e “Vullneti thyen edhe gurin”, ishin dy nga ato, që kërkojnë promovim dhe jetësim.
Nga aty vazhdova për vizitë në ambientet e punës së Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë. Elion Paloja ma dha ftesën për koncertin e tij solistik, të cilin do ta mbajë nesër në 12:00, në Shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ndërkaq nga Albin Dulahi, e pranova një pikturë shumë të veçantë, ashtu siç ishte edhe vet ai. U dakorduam që në një nga ditët e javët në vijim, bashkë me fëmijët ta bëjmë një vizitë të përbashkët në ndonjërën nga ndërmarrjet vendore.
I falënderoj dhe u jam mirënjohës për punën e madhe profesionistëve që angazhohen përditë aty. Ne jemi zotuar që t’i përmbushim obligimet që i kemi detyrë e përgjegjësi. Aty ku nevojat janë më të mëdha, aty duhen edhe ndihma, edhe kontributi.