Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023” tha se FSK radhitet e katërta në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim.
“Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes por edhe për përkushtimin e palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike”, tha ai.
“Siguria kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmën e Evropës, por mbarë botës. Prandaj përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme. Ashtu sic është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ushtrimit “Mbrojtësi i Evropës 2023”, deklaroi Kurti