Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të Veprimit 2024-2026, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se orientimi i kësaj qeverisjeje synon të përmblidhet në dy fjalë, me të cilat jemi zotuar para më shumë se dy viteve: punë dhe drejtësi. Punë do të thotë më shumë aktivitet e inovacion ekonomik, arsim më cilësor, më shumë investime të huaja. Drejtësi do të thotë barazi, mirëqenie, siguri e besim në institucione.
Duke folur për hartimin e Strategjisë, ai tha se ka ardhur koha të bëhet një investim serioz edhe në vendin tonë dhe Strategjia Shtetërore për Rini është mjeti; mjeti që do sjell në tavolinë të gjitha institucionet për të reflektuar mbi sfidat e veçanta të të rinjve në sektorin e tyre dhe për të hartuar e zbatuar politika publike në shërbim të tyre.
“Strategjia Shtetërore për Rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet të përcaktojë rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale karshi rinisë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se përmes masave të shumta të Qeverisë, dhe së fundmi programit Superpuna ku mbi 2,000 marrëdhënie pune janë të lidhura në një kohë të shkurtër, punësimi i të rinjve po rritet. Universitetin e bëmë falas për afër 43 mijë studentë dhe kemi ndarë mbi 3 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit. Këtë vit do ndahen 2 milionë euro për 2,000 bursa vetëm në fushat STEM, pra Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Në shëndetësi, buxheti është 100 milionë euro më shumë këtë vit: 296 milionë euro sot nga 198 milionë euro në vitin 2022.
Kryeministri Kurti, po ashtu tha se janë ndarë afër 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë, rini dhe sport, derisa potencoi se mbështetja për librin në të kaluarën ishte maksimalisht 150 mijë euro në vit, ndërsa sivjet janë ndarë 1 milion euro.
Me këtë rast, kryeministri ka ftuar të rinjtë dhe të rejat ta përqafojnë optimizmin, duke thënë se Kosova kurrë s’ka qëndruar më mirë në indikatorët kyç.
“Pothuajse çdokush që bisedon me këtë gjeneratë të të rinjve, e dinë se shumica prej tyre duan ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin e vet, pranë familjes dhe miqve të tyre. Andaj, qeveria është e tyre dhe po punojmë bashkërisht me ta për transformimin e vendit tonë. Planifikimin e së ardhmes po e bëjmë të mundur përmes të rinjve dhe të rejave tona. Me punë dhe drejtësi, Kosova është e ardhmja për ta, sikurse janë ata e ardhmja jonë dhe e tashmja jonë”, tha ai.