Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se Kosova do të jetë vend nikoqir i ‘‘Defender Europe 25’’, i cili është ushtrimi më i madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë, shkruan GAZETA PAPIRUS.
Kurti, gjatë fjalimit të tij, të cilin e ka ndarë edhe në profilin e tij në Facebook, ka thënë se, më 13 qershor do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje mes Kosovës e SHBA-së.
“Republika e Kosovës edhe këtë vit, nga data 26 maj deri më 7 qershor do të jetë vend nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë i quajtur Defender Europe 25. Më 13 qershor në Washington DC, në Departamentin e Mbrojtjes, nga Ministri ynë i Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje që përfshin periudhën 2025-2030. Kjo është marrëveshja e dytë e këtij lloji që nënshkruhet me ndonjë vend partner e aleat, pas asaj të nënshkruar me Republikën e Turqisë më 29 janar 2024. Kjo marrëveshje ndër-qeveritare e fushës së mbrojtjes përfshin shumë aspekte të bashkëpunimit, nga ushtrimet dhe trajnimet te bashkë-zbarkimet ndërkombëtare dhe nga ndërtimi i kapaciteteve ushtarake deri te bashkë-investimet në industrinë e mbrojtjes. Përmbajtja e kësaj kornize të bashkëpunimit të mbrojtjes dhe marrëveshja si dokument u miratuan në Qeverinë e Republikës së Kosovës me datë 12 mars 2025″, tha Kurti sot.