Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Minibibliotekës për komunitetin rom, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, ceremoni kjo që u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Voice of Roma, Ashkali and Egyptians.
Kjo Minibibliotekë e cila gjendet në ndërtesën e Qeverisë, mban 20 tituj me gjithsejtë 90 libra dhe do të përdoren për t’i lexuar nxënësit, studentët, fëmijët e mësimdhënësit, por edhe aktivistë e qytetarë të tjerë.
Kryeministri Kurti tha se është i lumtur që gjuha rome është njohur si gjuhë zyrtare në Komunën e Prizrenit, njëjtë sikurse që e ka edhe statusin në Komunën e Graçanicës. “Pra, dy nga vetëm tri komunat në botë, që e kanë këtë pasuri. Prej tri komunave në botë, dy janë në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka ofruar ndihmë prej 200 mijë euro për qendrat arsimore në Kosovë, për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptian gjatë vitit. Më tej, kryeministri se ndihmën i është dhënë edhe studentëve rom që janë në universitete publike dhe që studiojnë për tu bërë mësues pas diplomimit.
Me këtë rast, të pranishmëve iu drejtuan me një fjalë rasti duke i uruar për hapjen e minibibliotekës si dhe për ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Erxhan Galushi, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini, drejtori i organizatës joqeveritare Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, Isak Skenderi dhe mësuesja Urma Menekshe.
Përveç mbështetjes institucionale, po ashtu u tha se ky është një hap i mirë që do të shërbejë në të ardhmen për avancimin e të drejtave të këtij komuniteti si dhe për të promovuar, gjuhën e kulturën rome.
Fjala e kryeministrit Kurti në përurimin e Minibibliotekës për komunitetin rom:
Faleminderit shumë i nderuar z. Hajredini, E nderuara zëvendëskryeministre znj. Emilija Redžepi, E nderuara ministres e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës, z. Erxhan Galushi, I nderuari zëvendësministër, Sylejman Elshani, Të nderuara Elizabeth dhe Nurije, I nderuari drejtor i organizatës joqeveritare Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, z. Isak Skenderi, Dhe e nderuara mësuese Urma Menekshe, Të nderuar kolegë nga komuniteti rom, Saktësisht para një viti e vizitova Prizrenin dhe minibibliotekën rome të sapo hapur me mjete nga Ministria e Kulturës.
Aty patëm biseduar për rëndësinë e gjuhës amtare rome dhe në veçanti një gjuhë e cila është e folur anembanë globit nga më shumë se 3 milionë e gjysmë njerëz.
Gjatë këtij viti, i cili ka kaluar që nga takimi ynë i fundit, unë jam i lumtur që gjuha rome është njohur si gjuhë zyrtare në Komunën e Prizrenit, njëjtë sikurse që e ka edhe statusin në Komunën e Graçanicës.
Pra, dy nga vetëm tri komunat në botë, që e kanë këtë pasuri. Prej tri komunave në botë, dy janë në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, jam i lumtur, që numri i fëmijëve në Kosovë që mund t’i lexojnë këto libra po rritet. Përmes mësimit në gjuhën rome, që po ofrojnë mësuesit, siç jeni edhe disa prej jush këtu në këtë sallë, por edhe përmes ndihmës prej 200 mijë eurosh nga Qeveria, që iu është dhënë qendrave arsimore në Kosovë për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptian gjatë vitit.
Ne kemi ndihmuar gjithashtu edhe në formimin e lexuesve të ardhshëm në mbështetjen e dhënë për studentët romë, që janë në universitete publike dhe që studiojnë për tu bërë mësues pas diplomimit.
Për nxënës të mirë duhet të angazhohemi që të kemi edhe mësues të mirë. Unë i dua bibliotekat dhe jam dakord me atë që e ka vlerësuar Ajnshtajni se, “e vetmja gjë që është e pashmangshme të dihet, është vendndodhja e bibliotekës”. Pra, papërcaktueshmëria mbizotëron, por ku është biblioteka, duhet të dihet. të tjerat janë relative, por jo edhe vendndodhja e bibliotekës.
Tashmë përkushtimin e mësueses Urma dhe me fondin nga VoRAE dhe me mbështetjen e drejtorit Habit Hajredini. Minibiblioteka rome nuk ka vetëm në Prizren, por edhe këtu në ndërtesën e Qeverisë sonë, në katin e 6-të, ku jemi mbledhur së bashku.
Shpresoj që këto libra do të përdoren për t’i lexuar nxënësit, studentët, fëmijët e mësimdhënësit, por edhe aktivistë e qytetarë të tjerë.
Mendoj se leximi i tyre është mënyra më e mirë për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve, pra 8 Prillin, e cila festohet këtë javë.
Edhe njëherë, Urime Dita e Romëve! Bahtalo Romano Dive!