Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Likoshanit dhe Qirezit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se përpos vdekjes së shumë dëshmitarëve të këtyre masakrave, ka ende dëshmitarë të gjallë, që presin të dëshmojnë.
“Më 28 shkurt 1998, sulmi i forcave speciale të Serbisë, me artileri të rëndë, vazhdoi për 28 orë në fshatrat Likoshan dhe Qirez. Pas sulmeve me helikopterë dhe makina ushtarake, hynë forcat policore serbe. Brenda dhomës vranë me armë zjarri Rukie Nebihun, 27 vjeçare. Ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Në prehër kishte vajzën e saj 3 vjeçare”.
“Rukies ia vranë edhe bashkëshortin Ilirin, 30 vjeçar dhe kunatin Xhemshirin, 33 vjeçar. Atë ditë u vranë edhe 17 civilë shqiptarë të paarmatosur. Sot përkujtojmë civilët shqiptarë të vrarë: Beqir Sejdiu (26), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27 vjeç, në muajin e shtatë të shtatzënisë), Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), Gani Ahmeti (46), Ahmet Ahmeti (50), Hamzë Ahmeti (44), Hilmi Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18) dhe Elhami Ahmeti (16). Përkujtojmë dëshmorët Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38) që ranë në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe në Drenicë”, ka shkruar Kurti.