Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën.
Kështu tha ai gjatë një organizimi për të shënuar shpërblimin me çmim vjetor nga Bashkimi Evropian për integrimin e komuniteteve rome në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi të Zyrës për Qeverisje të Mirë.
Krahas Organizatës për Stabilitet Socio-Ekonomik që gjithashtu ishte shpërblyer nga BE-ja për punë me komunitet, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ambasadorë të akredituar, deputeti nga radhët e komunitetit jo shumicë Erxhan Galushi, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e drejtues të organizatave të shoqërisë civile.
“Komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën, por ne i dimë sfidat që ekzistojnë për bashkëqytetarët tonë romë, ashkali dhe egjiptianë. Jemi të përkushtuar që së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë do t’i tejkalojmë këto sfida për realizimin e plotë të të drejtave të komuniteteve. Në veçanti, jam i lumtur për Strategjinë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, të cilën qeveria jonë e miratoi vitin e kaluar. Falë punës së përkushtuar të Zyrës për Qeverisje të Mirë, ka më shumë gjasa të realizohet kjo Strategji për shkak të ndarjes së buxhetit për të gjitha aktivitetet – gjë që nuk është bërë deri më tani”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri tha me këtë rast se në këtë iniciativë të Qeverisë, fokus të veçantë i është kushtuar gjuhës kundër urrejtjes dhe diskriminimit, dhe me hapjen e platformës www.raportodiskriminimin.org është dëshmuar përkushtimi i qeverisë për monitorimin e rasteve të diskriminimit dhe zgjidhjen e tyre.
Po ashtu, kryeministri tha se këtë vit janë ndarë edhe bursa për nxënës nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian dhe 200 mijë euro për qendrat arsimore ku mësojnë fëmijët e këtyre komuniteteve.
“Ne kemi shënuar suksese me numrin e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve që kanë përfituar nga trajnimi në Qendrat e Trajnimit Profesional; vitin e kaluar 104 romë, ashkali dhe egjiptianë përfituan nga ky trajnim – një rritje nga vetëm 34 një vit më parë. Po ashtu jemi të lumtur krahas raundin paraprak të rekrutimit kur vetëm një pjesëtar i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është pranuar si polic, prej rekrutimit të fundit kemi progres, me 3 gra dhe 6 burra nga këto komunitete”, shtoi kryeministri Kurti.