Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës që pati javën e kaluar në Sarajevë, ka dhënë një intervistë për mediat boshnjake.
Në një intervistë për televizionin Hayat , Kurti ka folur për nervozizmin në Republikën Serbe për shkak të vizitës së tij duke thënë se nuk e ka menduar për asnjë moment anulimin e kësaj vizite.
“Në asnjë moment nuk kam menduar të anuloj vizitën time në Sarajevë, në të cilën po kthehem pas gjashtë vjetësh dhe më pëlqen të vij në Sarajevë, sepse kam shumë miq këtu. Mendoj se reagimi nga Banja Luka tregon frikën dhe pamundësinë për të pranuar realitetin, ata nuk mund ta kuptojnë se Bosnja dhe Hercegovina është një shtet i vetëm dhe unik. Unë mendoj se ashtu si Serbia që po bllokon Ballkanin Perëndimor, Republika Serbe gjithashtu bllokon BeH dhe mban të gjithë vendin peng për shkak të frikës së saj”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se është Serbia ajo e cila së bashku me Moskën mban peng gjithë Ballkanin.