Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar mbrëmë se do ta formojë qeverinë e re. Pa treguar me kënd, pa treguar si, ai u ka premtuar votuesve se do ta vazhdojnë punën.
Në rrjete sociale, ai ka publikuar hartën e Kosovës dhe komunat ku Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet.
“Fitore e padiskutueshme, me vota cep më cep. Në 21 komuna prijmë si fitues, sipas rezultateve preliminare, pa votat me kusht dhe ato të mërgatës. Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin, dhe puna e qeverisë së re vazhdon sapo të çertifikohen rezultatet. Deri atëherë, do të kujdesemi për ruajtjen e secilës votë që na e keni besuar”, ka shkruar Kurti.
Megjithatë, me rezultatet aktuale, Vetëvendosje ka 46 maksimum 47 deputetë.
Sipas matjeve të realizuara, votat e diasporës mund t’ia shtojnë partisë në pushtet deri në dy deputetë, ose maksimum tre nëse arrijnë të marrin mbi 70% të votave nga mërgata.
Megjithatë, kjo duket e vështirë që sërish të jetë e mundur për Vetëvendosjen ta krijojë qeverinë e vetme.
Diskutimet e ndryshme në studio e rrjete sociale kanë qenë për ‘kontrabandë’ deputetësh, megjithatë të gjitha mbeten të pakonfirmuara. Madje, kreytari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, aludoi se Fatmir Limaj me deputetët e tij mund t’i bashkohen VV-së.
Gjithsesi, opozita deri më tash nuk ka shprehur gatishmëri për koalicon me VV-në.
Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, ka deklaruar një ditë pas zgjedhjeve, se nuk pranojnë koalicion me partinë në pushtet.
“Shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan nuk duan që e njëjta Qeveri të vazhdojë, prandaj u fuqizuan partitë opozitare. Më obligon mua që të sillemi ashtu që ta respektojmë vullnetin e shumicës për ndryshim. Nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me VV-në. Ata duan pushtet absolut.” tha ai.
“Procedurat janë të qarta. Partia e parë e ka të drejtën me fillu këtë proces. Nëse dështon, ne si parti opozitare ulemi pasi që dalin rezultatet zgjedhore zyrtare dhe normalisht negociojmë.” tha ai.
I të njëjtit mendim ka qenë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një qeveri të opozitës e assesi koalicion me VV-në”, tha Haradinaj.
Lumir Abdixhiku, kreu i LDK, në një konferencë për mediat tha se rezultati i partisë së tij nuk ka qenë në nivelet që kanë pritur, edhe pse ka pasur rritje.
Për këtë ai tha se merr përsipër të gjithë përgjegjësinë dhe do të japë llogari në LDK dhe te qytetarët që kanë votuar sot për LDK.
“Është rezultat që e respektojmë, përgjegjësinë e marr në tërësi unë dhe do i jap llogari LDK dhe qytetarëve që kanë votuar për LDK. Rezultati nuk është i kënaqshëm por jemi me rritje”, tha ai.