Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ marrëveshjes bazike të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, tashmë ekziston një marrëveshje për normalizim ndërmjet dy vendeve, vetëm se tani duhet zbatuar.
“Për normalizim na duhet menjëherë zbatimi i marrëveshjes. Ne kemi marrëveshje me Serbinë, kjo është e arritur shumë e madhe e Brukselit. Kjo marrëveshje është pjesë e konkluzioneve të Këshillit të Evropës që në mënyrë unanime e ka bërë pjesë të veten marrëveshjen e arritur”, ka thënë ai.
“Kjo marrëveshje duhet zbatuar. Sot nuk kemi normalizim sepse nuk kemi zbatim të marrëveshjes. Dialogu është vetëm për zbatim se ne marrëveshjen e kemi. Është bindja ime e fuqishme nga takimet që kam pasur se Vuçiq i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ marrëveshjes bazike, ndonëse ka thënë po që të mos nënshkruajë, ndërsa tani i ka rënë pishman që ka thënë po”, ka shtuar ai.
Tutje, Kurti ka theksuar se thelbi i çështjes është që ekziston marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që marrëveshja nuk po zbatohet nga kjo e fundit.