Nuk ka bisedime, por ka qëndrime më të qarta të partive politike për Qeverinë e re të vendit, mbi një muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Albin Kurti beson se ai dhe partia e tij do të vijojnë të udhëheqin me vendin, megjithëse e di se për këtë nevojiten “bisedime” me partitë opozitare pas certifikimit të rezultateve. PDK-ja do ta presë dështimin e mundshëm të LVV-së për të provuar që Qeverinë e re ta bëjë pa këtë parti. Me të nuk do bashkëpunim as LDK-ja, që megjithatë kërkon pozitën e kryeministrit dhe një Qeveri me mandat të plotë, në rast të një koalicioni qeveritar me partitë opozitare.
Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë e re të vendit, thotë kryetari i kësaj partie, Albin Kurti. Tani, ai i përmend bisedimet, të cilat tha se do t’i bëjë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha ai të hënën, pa u ndalur para gazetarëve të cilët ishin të interesuar për idetë e tij për përbërjen e Qeverisë së re.
Një javë më parë, Kurti thoshte se pas certifikimit të rezultateve do të uleshin për “ta parë rrugën përpara”, ndërsa shtonte se “nuk ka ndryshuar situata” që LVV-ja të ketë “qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve”.
Partia Demokratike e Kosovës do ta presë radhën, tha kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Bedri Hamza, i cili përsëriti se LVV-ja e ka e para të drejtën që të përpiqet ta formojë Qeverinë. PDK-ja, tha ai, nuk do të futet në Qeveri me ta.
“Nëse janë 48, edhe 10, bëjnë 58 – 61 nuk bëjnë”, tha ai, duke komentuar bindjen e Kurtit se partia e tij do ta formojë Qeverinë e re.
“Me Vetëvendosjen nuk shohim bashkëpunim. Nuk shohim pika të përbashkëta. Jo që është kjo inat politik. Nuk ka të bëjë me inate politike. Nuk ka të bëjë me vija të kuqe. Unë nuk kam parë program. Ata s’kanë garuar fare me program”, tha Hamza të martën në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Me partitë opozitare, ai tha se “mund të harmonizohen” programet.
“Shumë më e mundshme – edhe për shkak të programeve, edhe për shkak të numrave – është që opozita me e formu Qeverinë sesa ta krijojë atë Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Pas një mbledhjeje që zgjati 5 orë, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se të martën i betonoi pozicionet se kjo parti nuk bën koalicion qeverisës me LVV-në dhe nuk hyn në koalicion me asnjë parti tjetër pa pozitën e kryeministrit dhe pa një mandat të plotë qeverisës.
“Dua ta qartësoj para mediave dhe qytetarëve të Kosovës që nuk kemi pasë asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos nuk kemi pasur takim me partinë në pushtet. LDK-ja e ka të qartë pozicionin e vetë politik karshi Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media.
“Po ashtu, qëndrimi ynë elektoral e paraelektoral ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani. Dhe po ashtu kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një Qeveri afatshkurtër, pra pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit, që përcakton dhe zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK-ja nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra nuk është e interesuar fare”, tha ai.
Abdixhiku tha se nuk do t’i përsërisin gabimet e kaluara dhe se interesi i tyre është të mbrohet interesi i LDK-së, pasi kështu, sipas tij, mbrohet edhe interesi i Kosovës.
Tha se mundësia për formimin e Qeverisë “i takon të parit” dhe se LDK-ja do të presë certifikimin e rezultateve dhe “veprimet e të parit”.
“Pas këtyre veprimeve do të keni edhe pozicionet tjerat ë Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ju garantoj, ju garantoj që qëndrimet tona paraelektorale do të jenë qëndrime edhe paselektorale”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tha se askush në këtë subjekt politik “nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjërën prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar”. “Kemi pasur komunikim të urimeve paszgjedhore, që janë normale, por jo komunikim zyrtar të diskutimeve për qeverisjen e ardhshme”, tha ai.
“Sa i përket Qeverisë, ne nuk jemi në pozicion të japim as ofertë, sepse s’duam të nisim çështje diskutimesh e pazaresh sepse jemi të pozicionuar në opozitë. Ky ka qenë verdikti i qytetarëve tanë”, tha Abdixhiku.
Ai i kërkoi LVV-së që “sa më parë” ta “prezantojë një shumicë para Kuvendit të Kosovës”.
Hamza i PDK-së, iu përgjigj këtij qëndrimi të LDK-së duke thënë se për të “prioritetet janë interesi i vendit, pastaj interesi politik”.
“I bie që vendi duhet të ketë institucione”, tha ai.
Tha se “që sonte” është i gatshëm të ulet me partitë me të cilat PDK ishte në opozitë dhe të bisedojë për “marrëveshje politike”.
Hamza tha se këtyre partive do t’u bëjë ftesa “edhe në kanale zyrtare” për bisedime për përbërjen e Qeverisë së ardhshme “e cila punon dhe i zbaton premtimet”.
Ai tha se te deklarimi i Abdixhikut lexoi se “ka vend për negociata”.
“Situata është e qartë. Partia Demokratike e Kosovës i ka 24 deputetë dhe partitë tjera të cilat kanë qenë në opozitë kanë më pak deputetë”, tha ai, duke shtuar se në rast se LVV-ja dështon, PDK-ja duhet “ta marrë iniciativën, ta krijojë dhe ta udhëheqë Qeverinë”.
Për pozitën e kryeministrit, ai tha se “dihet që i takon partisë që është më e madhe”. “Qytetari e ka caktuar një radhë”, jashtë së cilës, ai tha se nuk mund të dalë.
“Nëse ne e vendosim drejt interesin e vendit para interesit të partive politike, vendi do të ketë Qeveri”, tha Hamza, pasi theksoi se partitë garuan në zgjedhje “për të marrë përgjegjësi” dhe se duhet t’u qëndrojmë prapa përgjegjësive”. Ai e di se “nuk do të jetë e lehtë kushdo që do ta krijojë dhe do ta udhëheqë Qeverinë e ardhshme”.
Çështja e Presidentit, sipas Hamzës nuk duhet të “parashikohet”.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e cila garoi në koalicion me Nismën, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, duket se e mban qëndrimin e partitë opozitare duhet ta formojnë Qeverinë e ardhshme të vendit. Më i paqartë mbetet qëndrimi i partnerit të tij të koalicionit parazgjedhor, Fatmir Limaj, i cili para disa javësh shprehu gatishmërinë për t’u futur në koalicion qeveritar edhe me LVV-në e Albin Kurtit.