Pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministri Albin Kurti ka treguar për diskutimet që janë zhvilluar në Pallatin Elysee.
Kurti ka njoftuar se bashkë me Osmanin, gjatë takimit me Macron, kanë biseduar edhe për dy marrëveshjet në tavolinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në Pallatin Élysee u pritëm nga Presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron. Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti dhe Osmani kanë theksuar se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik.
“Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shkruar ai.