Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar deklaratën e emisarit për Misione të Posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, i cili para disa ditësh kishte thënë se retorika e Kurtit se është i afërt me ShBA-në është e rreme, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë që ka dhënë së fundmi për një television lokal, Kurti është pyetur për deklaratën e fundit të Grenellit dhe është përgjigjur duke thënë “Çka me bo unë”.
“Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai e ka kundërshtuar deklaratën e Grenellit, duke thënë se Kosova asnjëherë nuk i ka pasur punët më mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Punët kurrë ma mirë nuk i kena pas. Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh Kosova najherë prej amerikës e ka marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, është shprehur Kurti për Istogu Channel.
Këto deklarata të kryeministrit Kurti erdhën si një kundërpërgjigje ndaj Richard Grenell, i cili ditë më parë e ka kritikuar ashpër të parin e Qeverisë së Kosovës
“Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.
Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.
Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, kishte shkruar ai në platformën “X”.