Derisa Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është në fije të perit dhe institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut kanë gjithnjë e më pak shqiptarë, kryeministri Kurti ka vendosur që me një iftar të lahet para shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Iftari i sontëm duket si kusuritje për një pazar që filloi tash e një vit: Kurti e përkrahu pa rezervë koalicionin VLEN, kurse këta të fundit e furnizuan VV-në me militantë për t’i mbushur sallat e mitingjet në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Col Mehmeti
Gjashtë ditë pas përfuundimit zyrtar të mandatit katërvjeçar, kryeministri Albin Kurti i ka ftuar për iftar krerët e partive të koalicionit VLEN.
Shpura e mysafirëve nga Maqedonia e Veriut do të ketë Arben Taravarin, Izet Mexhitin, Bilall Kasamin, Zeqirija Ibrahimin, Bekim Qokun, Fatmir Limanin, përderisa nuk është konfirmuar ende pjesëmarrja e kreut të Kuvendit të shtetit fqinj, Afrim Gashi.
Siç bëjnë me dije medie shqiptare nga Shkupi, ky iftar mund të jetë edhe një ‘darkë e fundit’ përballë mundësisë që ky koalicion ‘të shkojë për lesh’ nga përplasja se kush do ta marrë flamurin e liderit.
Në një prononcim për mediet, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka konfirmuar ftesën e bërë nga Kurti, porse ka mohuar të jetë folur çështja se kush do të jetë lider i VLEN-it.
“Sonte të gjithëve na ka thirrur zoti Albin Kurti për një iftar. Mes tjerash, besoj, do të diskutohen edhe tema politike, por as që është diskutuar se kush do të jetë lider i VLEN-it”, ka thënë Taravari.
Dilemat e trilemat e koalicionit VLEN janë shtuar në prag të zgjedhjeve të sivjetme lokale në Maqedoninë e Veriut.
Te Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, është sugjeruar që partitë shqiptare të marrin pjesë në zgjedhje veç-e-veç — vetëm Kongresi i ASh-së, si partia më e madhe brenda këtij koalicioni, do të marrë një vendim për garën në vjeshtë.
“Nuk janë më në opozitë”
Megjithë animin kah Vetëvendosja dhe kryeministri Kurti, drejtori i mediumit INA, Naser Pajaziti, ka shprehur rezerva për iftarin e sontëm.
Në një shkrim, ai ka thënë se sonte do të mësohet nëse partitë e VLEN-it do të shkojnë në zgjedhje lokale dorëpërdore apo të ndara.
“VLEN nuk është më një koalicion në opozitë, por një forcë qeverisëse që duhet të dijë të menaxhojë fuqinë që ka. Nga ana tjetër, Kurti është i vetëdijshëm për peshën e tij politike, por edhe për limitet që ka në raport me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ai nuk mund t’ua imponojë një model bashkëpunimi, por as VLEN nuk mund të sillet sikur i ka të gjitha kartat në dorë. Në politikë, peshon vetëm ajo që ke realisht dhe jo ajo që pretendon. Fuqia nuk matet me deklarata të mëdha, por me aftësinë për të prodhuar rezultate”, ka shkruar Pajaziti.
Edhe Kimi i Shkupit e quan “të pavlerë” VLEN-in e Albinit
Pakënaqësitë ndaj VLEN-it, që është partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në qeverinë e Hristjan Mickoskit, janë zëruar edhe nga mbështetës të flaktë të Kurtit në Maqedoni.
I tillë ishte edhe rasti i shkrimtarit dhe analistit nga Shkupi, Kim Mehmeti, që VLEN-in e ka cilësuar si ‘të pavlerë’.
Në një nga shkrimet e fundit, ai madje i kishte cilësuar si ‘paçavura’ përfaqësuesit e VLEN-it.
I njohur për mbështetjen aktive për kryeministrin në ikje të Kosovës, analisti nga Shkupi e ka kritikuar Kurtin se me ndërhyrjen e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni i ka përçarë shqiptarët politikisht “edhe më shumë seç janë të copëtuar”.
Kurti ndihmoi në largimin e BDI-së dhe fitoren e VMRO-së
Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe njerëzit e rrethit të tij ishin përfshirë në përpjekje aktive në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në emër të ndryshimeve në politikën shqiptare, Kurti nga zyra e tij i kishte bërë ‘amin’ atij që u quajt si koalicioni VLEN – në përbërje të të cilit ishin Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe filiali lokal i VV-së.
Megjithë këtë mbështetje, VLEN-i kishte rezultuar jo fort i pëlqyer për votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Me vetëm 10.92 për qind të votave, ky koalicion pati një dallim të shënueshëm prej Frontit Evropian me 14.06 për qind – që përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, PDSh, Lëvizja Popull, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.
Thyerja e rregullit të pashkruar
Duke e thyer rregullin e pashkruar të formimit të qeverive në Maqedoni, partia fituese maqedonase VMRO-DPMNE zgjodhi për partner qeverisës koalicionin humbës, atë që ishte përkrahur me të madhe nga Kurti dhe Vetëvendosja.
Pas formimit të qeverisë së re, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte zhvilluar disa takime me homologun e tij maqedonas, Hristjan Mickoski – që në të vërtetë ishin nga takimet e pakta të tij me liderë rajonalë e të huaj.
Deshqiptarizim institucionesh
Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, plot dinamika kanë ndryshuar dhe pozita e shqiptarëve është afektuar sa i përket përfaqësimit në institucione shtetërore.
Mbi të gjitha, shqetësime të mëdha janë ngritur kur Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i cili parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, hyri në ‘filtrat’ e shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese.
Si partia më e madhe shqiptare në opozitë, BDI gjatë gjithë kohës iu ka rënë këmbanave të alarmit për degradimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Më herët, partia e drejtuar nga Ali Ahmeti nëpërmjet një letre në adresë të ShBA, BE-së dhe partnerëve ndërkombëtare iu është ankuar se qeveria e Mickoskit po bën spastrimin e administratës nga shqiptarët.
Duke alarmuar për ‘deshqiptarizim’ të institucioneve në RMV, kjo parti kishte sjellur edhe shembullin e Agjencisë për Zbulim në të cilën nuk qe emëruar asnjë shqiptar.
Në anën tjetër, përfaqësuesit shqiptarë në bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në thuajse gjatë gjithë vitit të parë në pushtet janë shpenzuar kryesisht me sulme ndaj BDI-së dhe opozitës.
Në vigjilje të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, ata nuk kishin harruar t’ua kthenin ‘borxhin’ VV-së për mbështetje.
Shumica e krerëve të partive të VLEN-it kishin bërë thirrje që të votohej Kurti, madje aktivistë të partive të tyre kishin mbushur sallat ku mbaheshin mitingje zgjedhore për VV-në.
Beteja e sivjetme: zgjedhjet lokale
‘Beteja’ kryesore e këtij viti duket se do të jenë zgjedhjet lokale.
Derisa kryeministri nga radhët e VMRO-DPMNE-së mban të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me LSDM-në, shqiptarët ndodhen përballë rrezikut real që ta humbin pushtetin në së paku dy komuna.
Në një shqyrtim të para dy muajsh, NACIONALE ka paralajmëruar se në rast të bashkëpunimit mes dy partive maqedonase, shqiptarët mund të mos qeverisin me Kërçovën dhe Strugën.
Kur demografia dikton rezultatet
Jo pak e diskutuar në media e ndër komentues politikë është çështja e demografisë. Më 2013, pasi ribashkimit me komunat rurale të Zajazit dhe Osllomesë, përqindja e shqiptarëve në Kërçovë ishte ajo e një shumice relative prej 54.51 për qind.
Mirëpo, realitetet e reja dhe migrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve ka prodhuar një tablo krejt të re për strukturën etnike në këtë komunë.
Së paku, nga regjistrimi i vitit 2021, numri rezident i shqiptarëve është 16,373 ose 41.26 përqind, duke shënuar një përgjysmim për njëzet vjet.
Në anën tjetër, numri i maqedonasve nuk ka pësuar rënie të konsiderueshme në përqindje, meqë sipas statistikave të 2021-s si maqedonas janë deklaruar 16,020 vetë ose 40.38 përqind.
Prej vitit të kaluar kur VMRO-DPMNE u rikthye në pushtet, kurse BDI kaloi në opozitë, ka pasur plot incidente e përplasje ndëretnike.
I tillë kishte qenë edhe skandali në shtator të vitit të kaluar ku ishte fshirë gjuha shqipe në të gjitha tabelat dygjuhëshe në autostradën që lidh Kërçovën me Ohrin.