Ditë më parë ishte raportuar se Kurti ka arritur me Duda Baljen të cilës thuhet se i ka premtuar postin e ministres. E ndaj kësaj kishte reaguar Rexhepi, duke kërcënuar me votë Kurtin.
Por pas konsultimeve me Kurtin, Rexhepi deklaroi për media se do t’i japë Kurtit votën. “Unë e votoj qeverinë Kurti 3”, pati thënë shkurt Rexhepi.
Përveç kësaj Balje kishte kërkuar një komunë boshnjake.
Sipas saj, kërkesa nuk do të realizohej menjëherë por që do të zgjaste disa vite.
“Për ju që nuk kuptoni asgjë fare, marrja e komunës është një proces që mund të zgjasë disa vite, që do të thotë se asgjë nuk do të ndodhë menjëherë, edhe tani, përveç fillimit të procedurës, kështu që…nuk ka nevojë për kaq frikë dhe urrejtje”.
E në reagimin e shpërndarë nga Balje, theksohet se mohimi i fundit ka ndodhur gjatë një interviste në emisionin “Poglavlje” në RTK2, ku Rexhepi, duke iu referuar Baljes, ka deklaruar se “dikush që nuk është boshnjak” po e përdor çështjen e komunave për qëllime politike.
“Aktivistët dhe intelektualët boshnjakë nga Gora dënojnë ashpër mohimin e vazhdueshëm të boshnjakëve nga Gora, që vjen nga kryetarja e NDS-së, Emilija Rexhepi. Për ne, boshnjakët nga Gora, është e papranueshme të mohohet çfarëdo individi me origjinë nga kjo trevë. Veçanërisht jemi të shqetësuar që ky qëndrim vjen nga një ish-zëvendëskryeministre e Qeverisë së Kosovës, e ngarkuar me çështje të komuniteteve joshumicë”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, gjatë mandatit të saj katërvjeçar, Rexhepi ka shfaqur qëndrime të përsëritura përjashtuese ndaj boshnjakëve të Gorës.
“Deklarata e fundit publike ku ajo mohoi përkatësinë boshnjake të Baljes, është një vazhdimësi e një qëndrimi të rrezikshëm. Është e papranueshme që një përfaqësuese politike të përçmojë identitetin kombëtar të pjesëtarëve të komunitetit të vet, për arsye politike apo personale.”
Ata rikujtojnë gjithashtu se në prag të zgjedhjeve të fundit, Rexhepi vizitoi Goren më shumë se kushdo nga politikanët boshnjakë, duke kërkuar vota, dhe përfshiu në listën e NDS-së disa kandidatë nga kjo zonë.
“A do të thotë kjo se ajo i njeh boshnjakët e Gorës vetëm kur ata mbështesin partinë e saj?”, pyesin aktivistët në reagim, duke shtuar se “Republika e Kosovës është një shtet demokratik, në të cilin çdo individ duhet të respektojë përkatësinë dhe ndjenjat kombëtare të çdo qytetari.”
Ata paralajmërojnë se deklarata të tilla mund të kenë pasoja ligjore për Rexhepi.
“Boshnjakët janë kategori kushtetuese dhe kështu do të mbeten gjithmonë. Pas gjithçkaje që kemi përjetuar, nuk do të lejojmë askënd të na mohojë – e aq më pak ata që gjatë viteve ’90 ishin në anën e politikave që kontribuuan në vuajtjet e boshnjakëve dhe shqiptarëve.”
Në fund të reagimit, ata bëjnë thirrje për unitet.
“Emilija Rexhepi është personi i fundit që mund të flasë për prejardhjen e dikujt – e veçanërisht për atë boshnjake. Boshnjakët e Gorës nuk mohohen – ata respektohen! Ftojmë të gjithë boshnjakët e Kosovës dhe të rajonit të na bashkohen në dënimin e këtyre deklaratave përçarëse, që synojnë të copëtojnë trupin kombëtar boshnjak. Një gjë është e sigurt – boshnjakët e Gorës janë krenarë për identitetin e tyre dhe të pathyeshëm”