Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen në Bruksel. Më në fund, këtë herë, diskutimet nuk do të bëhen për çështje teknike. Para tyre është vënë një version i ri i planit franko-gjerman për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova pret që para pranverës të përfundojë ky proces, ndërsa në Bruksel kanë thënë se presin që marrëveshja finale të arrihet brenda një viti.
Një version i ri, i përditësuar, i planit franko-gjerman iu dorëzua këto ditë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ata janë ftuar të takohen në Bruksel nga shefi i diplomacisë së BE,-së, Joseb Borrell, njoftoi të enjten zëdhënësi i Unionit, Peter Stano. Ai nuk e bëri të ditur datën se kur pritet të zhvillohet ky takim.
“Përfaqësuesi i lartë tashmë i ka ftuar ata që të vijnë në Bruksel dhe ne do të japin datën në kohën e duhur”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, të martën ishte në Kosovë dhe u takua me kryeministrin Albin Kurti për t’i diskutuar hapat e ardhshëm. Paraprakisht ai kishte shkuar në Beograd dhe ishte takuar edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Të dy liderëve ua ka dorëzuar versionin e ri, të përditësuar të propozimit mbi të cilin synohet të arrihet shpejt një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne mund ta diskutojmë thelbin dhe pikërisht kjo është arsyeja pse unë jam këtu, për ta kthyer diskutimin tonë për çështjen e normalizimit dhe për t’i diskutuar hapat e ardhshëm në këtë proces”, tha Lajçak para gazetarëve pas takimit me Kurtin.
Në Prishtinë tashmë po mobilizohen për këtë angazhim. Presidentja Vjosa Osmani të martën ka paralajmëruar një takim me kryeministrin Albin Kurti “për t’i koordinuar qëndrimet sa i përket versionit të ri”.
“Versioni është dorëzuar sot, megjithatë nuk është diskutuar përmbajtja e versionit të ri në takime, është diskutuar parimi si i tillë. Do të kemi një takim tjetër ndërinstitucional për t’i koordinuar qëndrimet sa i përket versionit të ri. Do t’i ndajmë sapo t’i kemi të gatshme”, ka thënë Osmani në një konferencë për media pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.
Nga Presidenca dhe nga Zyra e Kryeministrit, deri në publikimin e këtij teksti nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express se kur do të zhvillohet ky takim apo nëse është zhvilluar tashmë, e as se kur do të mund t’i ndajnë publikisht përshtypjet për versionin e ri të planit.
Gazeta serbe Danas raportoi sot se “presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vetëm disa javë që të pajtohet me propozimin franko-gjerman për dialogun”, duke cituar burime jozyrtare diplomatike.
Borrell të martën kërkoi angazhim të shtuar nga Kosova dhe Serbia pas dorëzimit të “versionit të fundit të teksitit”.
“Ato [Kosova dhe Serbia] duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”, ka thënë Borrell nga Tirana, ku mori pjesë në një samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Në Kosovë insistojnë se diksutimet me Serbinë tashmë kanë afat të caktuar. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha të martën në Komisionin për Punë të Jashtme se këtë ua kishte dhënë Lajçak natën e 23 nëntorit, kur u arrit marrëveshja e fundit që e zgjidhi të paktën përkohësisht problemin me targat e veturave.
“Në fakt, në tekst nuk figuron data mars, mirëpo figuron takimi i grupit special për normalizim dhe pastaj ne e kemi pranuar këtë formulim vetëm në këmbim të një shkrese shtesë të z. Lajçak, ku ai e cakton afatin për normalizim, marsin 2023. D.m.th. ne e kemi marrë këtë siguri, e pastaj e kemi pranuar atë formulim”, ka thënë Bislimi.
Një zyrtar i BE-së, në kushtet anonimiteti, i ka thënë agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters se presin që marrëveshja të arrihet në më pak se një vit kohë. Në anën tjetër, Serbia i kundërshton afatet.