Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të paharrueshme ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë që u luajt të dielën mbrëma, duke thënë se fitorja e përmbylli një fundjavë të jashtëzakonshme.
Kryeministri Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se sulmuesit që shënuan për Shqipërinë, Jasir Asani e Mirlind Daku, si dhe futbollistët e tjerë, ishin të përbashkuar për kualifikim në EURO 2024.
“Ndeshje e paharrueshme futbolli që Shqipërinë e bën të dalë e para në grupin e saj. Urime! Me golin e sulmuesve Jasir Asani nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut dhe Mirlind Daku nga Gjilani i Kosovës, si dhe me futbollistë edhe nga Lugina e Preshevës, të përbashkuar me një qëllim: kualifikimi për EURO 2024. Fitorja e mbrëmshme 2:0 përmbylli një fundjavë të jashtëzakonshme të vendeve tona e sportit te ne. Bravo”, ka shkruar ai.
Shqipëria mposhti Poloninë në “Air Albania Stadium” me rezultat 2:0.