Kryeministri Albin Kurti, i ka thënë Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, se është i gatshëm për takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, gjithmonë nëse ka vullnet të njëjtë edhe nga pala serbe.
Kryeministria ka njoftuar për takimin e Kurtit me Borrellin të shtunën në Munih të Gjermanisë. Aty thuhet se kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe angazhohet për marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.
“Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njejtë nga pala serbe. Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për takimin Kurti-Borrell.
Në takim ishin edhe zëvendësja e Kurtit, njëherësh ministre e Jashtme, Donika Gërvalla, dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kujtojmë se Peter Stano dje ka thënë se takimi i ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve do të zhvillohet në Bruksel më 22 shkurt, mikpritës i të cilit do të jetë i dërguari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak.
“Ky rund i takimeve do të shërbejë për të vazhduar diskutimet e lidhura me implementimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano për Rel-in.
Kurti e Vuçiqi s’janë takuar që nga vera e vitit të shkuar. /Zëri