Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmbyllur sot vizitën e tij në Uashington.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij treditore në këtë shtet dhe për takimet që ka zhvilluar.
“Takime të frytshme kemi zhvilluar me zyrtarët më të lartë të administratës Biden në fushat e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ndërkombëtar: Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, dhe Samantha Poëer, administratore e Agjencisë së ShBA-së për Zhvillimin Ndërkombëtar. Ndërsa, në Kongresin amerikan, jemi pritur nga udhëheqësit kryesorë në fushën e politikës së jashtme, Bob Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe Gregory Meeks, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, si dhe jemi takuar me senatorët Joni Ernst, Chris Murphy, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Ted Cruz, dhe me kongresistët Ritchie Torres, Jim Himes, Robert Aderholt, Lisa McClain, Carolyn Maloney, Darrell Issa, Elissa Slotkin, Mondaire Jones, Jim McGovern, Brad Schneider dhe Bill Keating”, ka shkruar Kurti në Facebook
Kurti tha se qëllim kryesor i këtyre takimeve ishte të avokonte sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe ShBA-së.
“Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Uashington, D.C”.
Në të gjitha takimet zyrtare, Kurti tha se potencuan se për sigurinë e Kosovës kanë nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, kthimin e kampit ushtarak “Bondsteel” në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, si dhe rritjen e mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Nga të gjithë zyrtarët morëm mbështetje shprehimisht për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe pranuam falënderime për ndihmën që u kemi dhënë refugjatëve afganë, për rreshtimin përkrah ShBA-së dhe botës demokratike me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas invazionit ilegale të Ukrainës dhe për gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5,000 refugjatë prej atij konflikti”.
Ai tha se u takua edhe me bashkatdhetarë, me të cilët bisedoi për mundësitë e përfshirjes së mërgatës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës.