Albin Kurtin disa herë e kemi parë të shfaqet si një lider autoritar, duke e përshëndetur popullin me dorë nga një tarracë e objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kur ishte rrëzuar herën e parë si kryeministër, Kurti i kishte mbledhur mbështetësit e tij në shesh dhe pati dalë në ballkonin e qeverisë për t’i përshëndetur ata, ani pse ishte piku i pandemisë së COVID 19. Ky gjest ishte kritikuar nga opinioni i gjerë, derisa e kishin krahasuar edhe me përshëndetjen që dikur bënin liderët e diktatorët në botë.
Por, këtë pamje ndoshta nuk mund ta shohim më, shkruan Demokracia.com. Kjo pasi që, Zyra e Kryeministrit ia ka dhënë kompanisë “Shkëlqimi Invest” SH.P.K një tender për rrethimin e tarracës së objektit të Qeverisë më xhama rrëshqitës. Për ta futur në xhama këtë tarracë kanë konkurruar 9 kompani.
Vlera me të cilën kompania në fjalë do t’i kryejë punët në tarracën e Qeverisë do të jetë 7 mijë e 968 euro.
Kompania është e obliguar që punimet t’i kryejë brenda një muaji, shkruan në dosjen e tenderit.