Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti diskursin dhe aktivizimin politik si opozitar e ka pasur për një kohë të gjatë të fokusuar në kundërshtimin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ose siç quhej një kohë nga vet kryeministri “Zajednica”.
Ai në një paraqitje televizive si opozitar kishte deklaruar se “Zajednica” ka vdekur dhe se do të varrosej me 6 tetor, aso kohe, datë e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe praktikisht ka vdekur dhe e dini Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor të vitit 2015 ka thënë që asnjë prej 7 kapitujve nuk është në përputhje me Kushtetutën, gjithsej 23 nene të Kushtetutës janë shkelur, rrjedhimisht nuk ka më Asociacionin”, kishte deklaruar Kurti në RTV21.
Ai nuk ishte ndalur me kaq, kishte thënë se “qaren” Asociacionit do të duhej t’ia bënin ata që e kanë mbështetur dhe nënshkruar, teksa deklaronte se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i 23 dhjetorit të vitit 2015 e kishte “shpartalluar” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Varroset më 6 tetor, ata që e kanë mbështet shkojnë bashkë me të, le t’ia bajnë qaren ata. E di që ka (marrëveshje), por ka edhe vendim të Gjykatës Kushtetuese. E ka shpartalluar ai vendim i Gjykatës Kushtetuese Zajednicën, unë e kam lexuar mirë atë aktgjykim, unë e kam parë që e ka shpartallu. Ajo është kot, ajo është kot, asnjë kapitull i Zajednicës nuk është në përputhje me Kushtetutën, nuk e ka pshtu asnjë kapitull, bile ka mujtë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese me thanë qiky kapitull bon, asnjë ka thënë s’bon, masnej ka thënë formone. Ajo është ironi, ka një ironi të hollë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese: formone ju Asociacionin, por asnjë kapitull nuk është në rregull, hajgare a? S’ka më kurrëgjë”, kishte deklaruar Kurti nga karriga e opozitarit.