Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës ne Zveçan ku kanë bastisur një depo armësh.
Përmes një njoftimi në Twitter, Kurti ka thënë se armët kanë pasur të shpërndahen te bandat e dhunshme në atë pjesë të Kosovës.
”Një tjetër fitore për RoL. Policia dhe KFOR bastisi një depo armësh në Zveçan të përdorur për të kontrabanduar armë në Kosovë për t’ua shpërndarë bandave të dhunshme. U konfiskuan armë të tipit ushtarak si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë“, ka shkruar Kurti të martën.
Më parë, për këtë çështje kishte reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kishte dhënë detaje për aksionin.
”Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it. Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës”, ka shkruar ndër tjerash Sveçla, të martën.
Lidhur me këtë rast u deklarua e Policia e Kosovës përmes një konference për media.
Policia e Kosovës konfirmoi se rasti i sotëm ku u gjet një sasi e madhe e armëve dhe municionit në veri të vendit, po hetohet nga Drejtoria për Krime të Rënda.
“Për momentin nuk mund të them shumë sepse është duke u zhvilluar një hetim nga Drejtoria për Krime të rënda, por duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve ka mundësi që ky vend të jetë edhe depo”, tha ai.
Tutje Elshani konfirmoi se ka të dyshuar rreth rastit, por jo të arrestuar.
“Nuk kemi të arrestuar për momentin, por kemi të dyshuar”, tha ai.